Drafti i Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale ka sjellë reagime edhe në Divjakë, ku banorët kanë kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Lushnjë.
Banorët shprehen se ky ndryshim do t’ua vështirësojë marrjen e shërbimeve dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme, duke theksuar se distanca nga qendra e re administrative do të krijojë pengesa për qytetarët.
“30 kilometra për një problem të vogël. Të lëmë punën gjithë ditën për të bërë një pyetje në Bashkinë Lushnjë, jo më për të zgjidhur një problem. Pushteti duhet të vijë pranë nesh, jo vetëm që kjo nuk ndodh, por po na heqin edhe Bashkinë”, u shpreh një banor.
Të tjerë qytetarë e kundërshtuan rikthimin nën administrimin e Lushnjës, duke kujtuar se ndarja nga kjo bashki ishte kërkuar prej vitesh.
“Ne me zor u shkëputëm nga Lushnja dhe tani të bashkohemi sërish? Jemi kundër bashkimit”, thanë banorët.
Sipas tyre, edhe shërbime të tjera, si drejtësia dhe institucionet qendrore, kanë krijuar vështirësi për shkak të largësisë, ndërsa një reformë e re territoriale mund ta rëndojë më tej aksesin e qytetarëve në administratë.
Kundërshtime ndaj draftit të reformës territoriale janë shfaqur edhe në disa bashki të tjera, ku komunitetet lokale kanë kërkuar rishikimin e propozimeve për bashkimet e reja administrative.







