Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas krizës së rëndë migratore që përfshiu enklavën spanjolle të Ceutës, ku rreth 50 mijë emigrantë hynë brenda 24 orëve nga Maroku, ndërsa të paktën 27 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin me not.
Presidentja e Komisionit Evropian kërkoi ndalimin e menjëhershëm të kalimeve të rrezikshme, shkatërrimin e rrjeteve të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe përshpejtimin e procedurave të kthimit të emigrantëve, në përputhje me legjislacionin e BE-së.
Von der Leyen bëri të ditur se ka ngarkuar dy komisionerë evropianë të ndjekin nga afër situatën. Komisioneri për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, po bashkëpunon me autoritetet spanjolle dhe është i gatshëm të vizitojë zonat më të prekura për të vlerësuar mbështetje shtesë operacionale, përfshirë përmes Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex.
Ndërkohë, komisionerja për Mesdheun, Dubravka Suica, është në kontakt me autoritetet marokene për koordinimin e përgjigjes ndaj krizës.
“Jam e bindur se partneriteti ynë i ngushtë me Marokun do të ndihmojë në arritjen e rezultateve konkrete”, përfundoi presidentja e Komisionit Evropian.
Reagimi i Von der Leyen vjen në një moment kur Spanja po përballet me një nga valët më të mëdha migratore të viteve të fundit në Ceuta, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez ka angazhuar ushtrinë për menaxhimin e situatës dhe Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje financiare, teknike dhe operacionale Madridit.







