Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se klubi do ta ndiejë mungesën e Marcus Rashfordit, pasi vendosi të mos e transferojë përfundimisht sulmuesin anglez nga Manchester Unitedi.
Klubi katalanas kishte të drejtën ta blinte Rashfordin për 26 milionë funte këtë verë, por vendosi të mos e aktivizonte atë klauzolë. Në vend të tij, Barcelona zgjodhi të përforconte repartin ofensiv me transferimin e Anthony Gordonit nga Newcastle për rreth 70 milionë funte.
Flick foli për largimin e Rashfordit gjatë konferencës për media pas ndeshjes miqësore të Barcelonës ndaj Birmingham Cityt të premten mbrëma, duke shprehur hapur vlerësimin për reprezentuesin anglez.
“Çfarë mund të them për Marcusin është se kam vlerësim të madh që kam punuar me të,” tha Flick, i cituar nga “Manchester Evening News”.
“Ndonjëherë nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë me lojtarët që janë në huazim. Mendoj se situata jonë nuk ishte e lehtë në këtë aspekt. Por kam kënaqësinë që kam punuar me të. Ai është një futbollist fantastik dhe një njeri i mrekullueshëm. Mendoj se edhe skuadra do ta ndiejë mungesën e tij. Edhe unë do ta ndiej, por kjo është jeta dhe duhet ta pranojmë”, shtoi ai.
Rashfordi zhvilloi një sezon shumë të mirë në huazim te Barcelona, duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të repartit ofensiv. 28-vjeçari regjistroi 14 gola dhe 11 asistime në 49 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e klubit katalanas.
Pas vendimit të Barcelonës për të mos e mbajtur, Rashfordi publikoi të enjten një mesazh lamtumire në Instagram, ku falënderoi klubin dhe tifozët. “Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjithëve në klub që e bënë kohën time këtu kaq pozitive dhe të paharrueshme.
Kam shijuar çdo moment dhe do të marr me vete shumë kujtime të veçanta. I uroj klubit dhe të gjithë tifozëve fatin më të mirë dhe shumë suksese në sezonin që po vjen. Visca el Barça”, shkroi Rashfordi..







