Ballina Rajoni Thriller në Beograd! Një 28-vjeçare ruse gjendet e vdekur në një valixhe,...

Thriller në Beograd! Një 28-vjeçare ruse gjendet e vdekur në një valixhe, arrestohet një 25-vjeçar turk

30
0

Një 28-vjeçare ruse, e cila rezultonte e zhdukur që prej fundit të muajit korrik, është gjetur e pajetë brenda një valixheje në një kanal pranë Beogradit, në Serbi. Trupi i viktimës u zbulua të enjten në mbrëmje nga banorë të zonës pranë kanalit në Padinska Skela, një zonë me popullsi të rrallë në anën tjetër të lumit Danub, larg qendrës së kryeqytetit serb.

Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, viktima u identifikua si Lyudmila Turkova, shtetasja ruse për të cilën autoritetet kishin nisur kërkimet pas raportimit të zhdukjes së saj. Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, një shtetas turk 25-vjeçar është arrestuar si i dyshuari kryesor për vrasjen. Ai u ndalua në aeroportin e Beogradit teksa dyshohet se po përpiqej të largohej nga vendi.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se gruaja dyshohet se është vrarë në orët e para të 26 korrikut, në një apartament me qira në lagjen Borca të Beogradit. Më pas, i dyshuari dyshohet se e ka vendosur trupin në një valixhe, e ka transportuar drejt Kanalit Vizelj dhe e ka braktisur aty, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Lyudmila Turkova ishte zhdukur mbrëmjen e 25 korrikut, pasi kishte ndërprerë komunikimin me miqtë e saj dhe nuk u përgjigjej më mesazheve. Pas denoncimit të zhdukjes, autoritetet serbe nisën hetimet që çuan në gjetjen e trupit dhe arrestimin e të dyshuarit. Çështja tashmë i është kaluar prokurorisë serbe, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes.