Ballina Ekonomia Industria dhe bizneset e mëdha më të varura nga importet për lëndën...

Industria dhe bizneset e mëdha më të varura nga importet për lëndën e parë

51
0

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e ndërmarrjeve në 6-mujorin e dytë 2025, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe një pjesë e konsiderueshme e atyre të mesme sigurojnë shumicën e lëndës së parë brenda vendit. Konkretisht, 56% e ndërmarrjeve të vogla dhe 40% e ndërmarrjeve të mesme deklarojnë se sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë në tregun vendas.

Por nuk ndodh njësoj te ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 34% e tyre deklarojnë se sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit. Ndërkohë, rreth 37% e ndërmarrjeve të mëdha sigurojnë vetëm deri në 20% të lëndës së parë nga tregu vendas, çka tregon një varësi më të lartë nga furnizimet e importuara.

Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, pesha e ndërmarrjeve të mëdha që sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit është rritur me 3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me një vit më parë me 2 pikë përqindje. Megjithatë, niveli mbetet dukshëm më i ulët se te ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme.

Në ndarjen sipas sektorëve, industria del si sektori më i ekspozuar ndaj lëndës së parë të importuar. Vetëm 25% e ndërmarrjeve industriale sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit, ndërsa 50% e tyre deklarojnë se sigurojnë vetëm deri në 20% të lëndës së parë nga tregu vendas. Kjo e bën industrinë sektorin më të varur nga furnizimet e jashtme.

Në anën tjetër, ndërtimi dhe shërbimet janë më të lidhura me tregun vendas. Në sektorin e ndërtimit, 63% e ndërmarrjeve sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit, ndërsa në shërbime kjo peshë është 53%. Megjithatë, në të dy sektorët është shënuar rënie krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm: me 4 pikë përqindje në ndërtim dhe me 2 pikë përqindje në shërbime.

Edhe tregtia rezulton më pak e mbështetur te lënda e parë vendase krahasuar me ndërtimin dhe shërbimet. Nga të dhënat rezulton se në gjashtëmujorin e dytë 2025, 26% e ndërmarrjeve të tregtisë sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit, ndërsa 31% sigurojnë vetëm deri në 20% nga tregu vendas.

Këto të dhëna tregojnë se varësia nga importet nuk është e njëjtë në të gjithë ekonominë. Ajo është më e dukshme te bizneset e mëdha dhe te industria, ku furnizimet nga jashtë kanë peshë më të madhe. Kjo i bën këto ndërmarrje më të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, kostove të transportit, kursit të këmbimit dhe problemeve në zinxhirët e furnizimit.

Në të kundërt, ndërmarrjet e vogla, ndërtimi dhe shërbimet mbeten më të lidhura me tregun vendas, çka mund t’i bëjë më pak të ekspozuara ndaj goditjeve të jashtme, por edhe më të varura nga kapacitetet dhe çmimet e furnizuesve vendas./ekofin.al