Në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Stacionet e Policisë Golem dhe Plazh, si dhe me partnerët e Policisë Italiane, kanë vijuar patrullimet dhe kontrollet në terren, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike.
Grupet e kontrollit kanë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në qytetin e Durrësit, në zonën e Golemit dhe të Plazhit, në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Matjet e realizuara, sipas procedurave standarde të përcaktuara për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Njëkohësisht, janë zhvilluar takime sensibilizuese me pronarë dhe administratorë subjektesh, aktiviteti i të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me fokus respektimin e legjislacionit në fuqi dhe të orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore.
Gjatë kontrolleve është verifikuar edhe zbatimi i orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në 24:00.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të garantuar një mjedis të qetë, të sigurt dhe të përshtatshëm për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit gjatë gjithë sezonit turistik.







