UEFA ka miratuar ndryshime të rëndësishme në rregulloren disiplinore për garat evropiane të klubeve, duke lehtësuar kriteret për pezullimin e futbollistëve dhe zyrtarëve pas grumbullimit të kartonëve të verdhë.
Nga sezoni 2026/27, në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, lojtarët dhe zyrtarët do të pezullohen automatikisht për një ndeshje vetëm pasi të kenë marrë katër kartonë të verdhë, të cilët nuk rezultojnë me përjashtim nga loja.
Deri tani, pezullimi aktivizohej pas kartonit të tretë të verdhë, por UEFA vendosi ta ndryshojë këtë rregull pas reformës së formatit të ri të garave evropiane, ku faza e ligës në Champions League dhe Europa League u zgjerua nga gjashtë në tetë ndeshje.
I njëjti sistem do të zbatohet edhe në Conference League, me synimin për të unifikuar rregullat disiplinore në të tre kompeticionet.
Sipas vendimit të ri, pezullimet nuk do të ndalen te kartoni i katërt. Futbollistët dhe zyrtarët do të mungojnë një ndeshje edhe pas çdo dy kartonëve të verdhë shtesë, pra pas kartonit të gjashtë, të tetë, të dhjetë dhe në vijim.







