Ballina Kulturë Ndryshoi tingullin e Madonnës dhe riktheu karrierën e saj në majë, ndahet...

Ndryshoi tingullin e Madonnës dhe riktheu karrierën e saj në majë, ndahet nga jeta producenti legjendar William Orbit

93
0

Bota e muzikës ka humbur një nga producentët më të rëndësishëm të dekadave të fundit. William Orbit, producenti dhe kompozitori britanik që bashkëpunoi me emra si Madonna, Blur, U2, All Saints, Pink, Britney Spears dhe Robbie Williams, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familja e tij, e cila bëri të ditur se Orbit u nda nga jeta në shtëpinë e tij më 23 korrik. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

“Do të na mungojë jashtëzakonisht shumë, ashtu si edhe të gjithë atyre, jetët e të cilëve ai i preku përmes muzikës, miqësisë dhe mirësisë së tij”, thuhet në deklaratën e familjes. William Orbit konsiderohet si një nga producentët më inovativë të muzikës elektronike dhe pop. Emri i tij lidhet ngushtë me albumin legjendar të Madonnës “Ray of Light”, të publikuar në vitin 1998, një projekt që ndryshoi drejtimin artistik të këngëtares dhe e riktheu atë në qendër të skenës botërore.

Me tinguj të frymëzuar nga trip-hop, techno dhe muzika elektronike, Orbit krijoi së bashku me Madonnën hite si “Frozen”, “Ray of Light” dhe “The Power of Goodbye”. Albumi u shndërrua në një sukses global, fitoi disa çmime Grammy dhe vazhdon të konsiderohet si një nga veprat më të mira në karrierën e artistes amerikane. Vetë Madonna e kishte cilësuar Orbit si “një gjeni absolutisht të çmendur”, duke treguar se procesi krijues mes tyre ishte i lirë dhe eksperimental. “Shkoja tek ai me një ide, i këndoja një melodi ose i lexoja tekstet dhe më pas e lija vetëm në studio. Shpesh krijonte diçka krejtësisht të papritur dhe më pas punonim së bashku derisa kënga merrte formën përfundimtare”, kishte rrëfyer ajo.

Orbit iu rikthye bashkëpunimit me Madonnën edhe në vitin 2012, duke bashkëprodhuar gjashtë këngë të albumit “MDNA”. Më herët këtë vit ai ishte shprehur se do ta donte gjithmonë këngëtaren, duke pranuar se bashkëpunimi me të kishte ndryshuar karrierën e tij. Karriera e William Orbit nuk u kufizua vetëm te Madonna. Ai prodhoi albumin “13” të Blur, i konsideruar një nga projektet më të rëndësishme të grupit britanik, duke realizuar këngë si “Tender” dhe “Coffee & TV”. Gjithashtu prodhoi hitin “Pure Shores” të All Saints, një nga këngët më të suksesshme të muzikës britanike në fillim të viteve 2000, si edhe “Black Coffee”, që gjithashtu kryesoi klasifikimet.

Në listën e artistëve me të cilët bashkëpunoi përfshihen edhe U2, Pink, No Doubt, Beck, Britney Spears, Melanie C, Robbie Williams, Chris Brown, Katie Melua dhe Nadine Coyle. Një tjetër projekt i rëndësishëm ishte përfundimi i këngës së papublikuar “There Must Be More to Life Than This”, një duet mes Freddie Mercury dhe Michael Jackson, i cili u publikua në vitin 2014 nën produksionin e Orbit. Përveç punës si producent, ai zhvilloi edhe një karrierë të suksesshme solo, duke publikuar disa albume, mes tyre serinë “Strange Cargo” dhe “Pieces in a Modern Style”, ku ndërthuri muzikën klasike me elektronikën moderne. Albumi i tij i fundit, “The Painter”, u publikua në vitin 2022.

Në mars të vitit 2026 ai hodhi poshtë spekulimet për një ribashkim artistik me Madonnën, duke deklaruar se nuk do të kishte një “Ray of Light 2”, edhe pse kishte përgatitur një projekt që, sipas tij, mbante të njëjtën frymë artistike. Në vitet e fundit Orbit kishte folur hapur edhe për betejën e tij me varësinë nga substancat narkotike. Në një intervistë për The Guardian në vitin 2021, ai tregoi se përdorimi i kanabisit, LSD-së, MDMA-së, kokainës dhe substancave të tjera i kishte shkaktuar një episod të rëndë psikotik, që çoi në shtrimin e tij të detyruar në spital.

“Pasi substancat dolën nga organizmi im, arrita të rikthehesha në gjendjen normale dhe të vazhdoja jetën”, kishte rrëfyer ai.

Me ndarjen nga jeta të William Orbit, industria muzikore humbet një nga arkitektët më të rëndësishëm të tingullit modern, një producent që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën pop dhe elektronike për më shumë se katër dekada.