Ballina Rajoni ​“Ulqini është qytet shqiptar”, “Ulqini është malazez” – kush ka të drejtë,...

​“Ulqini është qytet shqiptar”, “Ulqini është malazez” – kush ka të drejtë, debati i stërnxehur në Podgoricë

80
0

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, se “Ulqini është qytet shqiptar”, ka nxitur reagime dhe përplasje politike në Mal të Zi, duke përfshirë kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, zyrtarin e DPS-së (Partia Demokratike e Socialistëve) Nikollë Gegaj, liderin e kësaj partie, Danijel Zhivkoviq, si dhe shefin e Grupit Parlamentar të Forumit Shqiptar, Artan Çobi.

Gjeloshaj, i cili është edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe lider i Forumit Shqiptar, përmes një publikimi në rrjetet sociale ka deklaruar se Ulqini ka qenë dhe do të mbetet qytet, duke theksuar në mënyrë të veçantë shumicën shqiptare të popullsisë.

“Ulqini ishte qytet. Ulqini është qytet. Ulqini do të jetë gjithmonë qytet. Ulqini është qytet me shumicë shqiptare. Ulqini është qytet shqiptar”, ka shkruar Gjeloshaj.

Deklarata e tij ka ardhur pas debatit parlamentar për ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, për të cilat deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, kishte vlerësuar se rrezikojnë statusin e Komunës së Ulqinit.

Për deklaratën e Gjeloshajt është deklaruar edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili e ka cilësuar atë si mesazh parazgjedhor dhe ka thënë se nuk ishte veprim i mençur.

“Sigurisht se mesazhi i kushtohet edhe zgjedhjeve, sepse ato po afrohen, dhe ky është definimi i Ulqinit si qytet shqiptar dhe koketim me qytetarët”, ka deklaruar Nimanbegu për televizionin Vijesti, përcjellë KosovaPress.

I pyetur nëse mesazhe të tilla janë të arsyeshme në lidhje me atë se kujt i përket Ulqini, ai është përgjigjur: “Nëse janë të arsyeshme apo jo, mendoj se nuk janë. Kjo është pyetje për atë që e ka shkruar”.

Ndaj deklaratës së Gjeloshajt ka reaguar edhe anëtari i Këshillit Qendror të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe ish-deputeti shqiptar Nikollë Gegaj, i cili Ulqinin e ka cilësuar si “perlë të bregdetit malazez”.

“Në Ulqin jetojnë në harmoni njerëz të kulturave, gjuhëve dhe traditave të ndryshme. Këtu do të dëgjoni shpesh gjuhën malazeze dhe shqipe. Perlë e bregdetit malazez. Ta ruajmë këtë thesar. Duke ruajtur Ulqinin, nuk ruajmë vetëm një qytet, ruajmë vlerat e bashkëjetesës, tolerancës dhe bukurinë e Malit të Zi”, ka deklaruar Gegaj.

Ai ka thënë se Ulqinin e sheh si një qytet ku ndërthuren kultura dhe histori të ndryshme.

“Kur mendoj për Ulqinin, qytetin që ndodhet në jugun e skajshëm të Malit të Zi, pranë kufirit me Shqipërinë, e shoh si perlë të bregdetit malazez. Për mua, Ulqini është një vend i shkruar nga deti, një qytet që bashkon historinë, natyrën mahnitëse dhe njerëzit me zemër të hapur”, ka thënë Gegaj.

Polemikës i është bashkuar edhe kryetari i DPS-së, Danijel Zhivkoviq, i cili pikërisht deklaratën se Ulqini është “qytet shqiptar” e ka marrë si pikënisje të një shkrimi autorial për karakterin qytetar të Malit të Zi.

Ai ka pranuar se shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë së Ulqinit dhe ka theksuar të drejtën e komunitetit shqiptar për ta kultivuar identitetin e vet.

“Natyrisht se Ulqini është qytet në të cilin shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët. Natyrisht se komuniteti shqiptar ka të drejtë ta kultivojë identitetin, gjuhën, kulturën, traditën dhe vlerat e veta. Kjo e drejtë nuk është vetëm legjitime – ajo është një nga pasuritë themelore të shtetit tonë”, ka deklaruar Zhivkoviq.

Megjithatë, ai ka bërë dallim ndërmjet përcaktimit të Ulqinit si qytet me shumicë shqiptare dhe cilësimit të tij si “qytet shqiptar”.

“Ekziston një dallim i madh ndërmjet asaj që të themi se Ulqini është qytet me popullsi shumicë shqiptare dhe të themi se Ulqini është ‘qytet shqiptar’. E para është fakt. E dyta është mesazh politik. Dhe shumë i rrezikshëm”, ka thënë kreu i DPS-së.

Sipas Zhivkoviqit, pranimi i një logjike të tillë do të hapte rrugën që edhe qytetet e tjera të Malit të Zi të ndaheshin sipas përkatësisë kombëtare të shumicës së popullsisë.

“Nëse e pranojmë këtë logjikë – se Cetina është malazeze, Andrijevica serbe, Rozhaja boshnjake dhe Ulqini shqiptar, atëherë Mali i Zi pushon së qeni shtet dhe bëhet një përmbledhje territoresh kombëtare, që njëkohësisht është edhe recetë e përsosur për zhdukjen e tij”, ka deklaruar ai.

Zhivkoviq ka thënë se çdo qytet i Malit të Zi u përket të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Koncepti qytetar do të thotë se asnjë identitet nuk mund të ketë të drejtë ta përvetësojë shtetin. Mali i Zi u përket të gjithë qytetarëve dhe askush nuk mund të përvetësojë asnjë pjesë të territorit të tij, sepse shteti u përket të gjithëve në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar ai.

Shkrimin e tij Zhivkoviq e ka përmbyllur me formulimin: “Ky është themeli i Malit të Zi bashkëkohor. Dhe prandaj Ulqini është – malazez”.

Kjo deklaratë e kreut të DPS-së ka sjellë kundërpërgjigjen e shefit të Grupit Parlamentar “Forumi Shqiptar – Albanski forum”, Artan Çobi.

Çobi ka thënë se Zhivkoviq ka të drejtë ta konsiderojë Ulqinin qytet malazez, njësoj siç të tjerët, sipas tij, kanë të drejtë ta quajnë qytet shqiptar.

“Zotëri Zhivkoviq ka të drejtë në qëndrimin e tij politik se Ulqini është qytet malazez, ashtu siç të tjerët kanë të drejtë të thonë se Ulqini është qytet shqiptar. Këto janë qëndrime politike dhe në një shoqëri demokratike për to diskutohet me argumente, jo me fyerje, kërcënime dhe fushata urrejtjeje”, ka deklaruar Çobi.

Ai ka thënë se tashmë qytetarët e Ulqinit e kanë dëgjuar qëndrimin politik të DPS-së dhe ka drejtuar kritika ndaj shqiptarëve që bashkëpunojnë politikisht me këtë parti.

“Mirë është që qytetarët e Ulqinit e dëgjuan qëndrimin politik të DPS-së – se ulqinakët janë malazezë. Tani do të jetë interesante të shihet nëse me këtë qëndrim do të pajtohen edhe partitë shqiptare që me DPS-në ushtrojnë pushtetin në Ulqin apo, si shumë herë deri më tani, do të zgjedhin heshtjen”, ka thënë Çobi.

Ai, në fund, përdori tone edhe më të ashpra ndaj kreut të DPS-së, Zhvkoviq, duke paralajmëruar se do t’ia dërgojë një “Doracak për shërimin e albanofobisë”.

“Ndoshta pas kësaj do ta ketë më të lehtë ta kuptojë dallimin ndërmjet respektimit të identitetit të një populli autokton dhe përpjekjes që ai identitet të paraqitet si problem”, ka përfunduar Çobi.