Ballina Kronika “E ndoqi me armë në dorë dhe e vrau pranë shtëpisë”- Nëndrejtori...

“E ndoqi me armë në dorë dhe e vrau pranë shtëpisë”- Nëndrejtori i Policisë Korçë jep detajet e krimit: U konfliktuan në lagje, autori në kërkim, 3 të shoqëruar

51
0

Dy shokët janë konfliktuar mes tyre në lagjen ku jetonin dhe pas përleshjes fizike grindja ka agravuar në përdorimin e armës së zjarrit.

Autori e ka ndjekur ushtarakun Johan Zuko, ish-futbollist i akademisë së Skënderbeut nga pas me kallash në dorë dhe e ka ekzekutuar pranë shtëpisë ku ai jetonte.

Këto janë detajet e para të dinamikës së krimti që ka zbardhur gjatë një deklarate të shkurtër për mediat nga Korça, nëndrejtori i Hetimit dhe Krimeve në Drejtorinë e Policisë, Sejfulla Metko.

Ai tha se dyshohet që dy personat të kenë pasur konflikt prej ditësh derisa situata ka agravuar sot.

Metko konfirmoi se viktimës iu gjet edhe një thikë në dorë, që po verifikohet nëse e kishte për vetëmbrojtje apo të ketë sulmuar i pari autorin që më pas ka përdorur armën e zjarrit për ta vrarë.

“Konflikti ndodhi rreth orës 16:00 në një lagje në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së viktimës”, deklaroi Metko.

Ai bëri me dije se rreth 15 minuta pas konfliktit, autori i dyshuar është larguar në drejtim të varrezave, bazuar edhe në dëshmitë e personave që kanë qenë pranë zonës. Tre persona tashmë janë shoqëruar.

“Pas 15 minutash, autori i dyshuar ka shkuar në drejtim të varrezave, sipas dëshmitarëve”, tha zv/drejtori i Hetimit të Krimeve. Metko konfirmoi gjithashtu se 20-vjeçari është qëlluar me armë tip kallashnikov, ndërsa në dorën e viktimës është gjetur një thikë.

“Viktima është vrarë me kallashnikov. Viktima ka pasur një thikë në dorë. Ka pasur një konflikt mes këtyre dy personave”, u shpreh ai.

Sipas Policisë, autori i dyshuar ka qenë prej kohësh në ndjekje nga strukturat policore dhe aktualisht vijon operacioni për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë po merren në shqyrtim për të rindërtuar lëvizjet e dy personave dhe dinamikën e konfliktit që përfundoi me vrasjen e të riut.

Motivi mbetet ende i panjohur, kurse autori u arratis. Janë ngritur postblloqe dhe sekuestruar kamerat e sigurisë.

Metko tha se autori është identifikuar.

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Njoftimi i Policisë Korçë:

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë”.

Çfarë dihet deri tani për vrasjen në Korçë

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar janë përfshirë në një konflikt pak para momentit fatal.

Një tjetër detaj i rëndësishëm që po verifikohet nga grupi hetimor është se viktima dyshohet se kishte me vete një thikë, e cila është gjetur në dorën e tij pas ngjarjes.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse thika është përdorur gjatë konfliktit dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të përplasjes mes dy të rinjve.

Viktima dhe autori i dyshuar, sipas informacioneve të mëparshme, kanë qenë shokë dhe janë rritur bashkë. Autori dyshohet se ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.

Ndërkohë, Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe vijon kërkimet për kapjen e tij. Në disa zona janë ngritur postblloqe, ndërsa po kontrollohen akset rrugore dhe zonat përreth.

Grupi hetimor po sekuestron edhe kamerat e sigurisë në zonën e ngjarjes, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit dhe zbardhjen e plotë të konfliktit që përfundoi në vrasje.