Për herë të parë, Shqipëria pritet të ketë një kuadër të posaçëm për ngritjen dhe funksionimin e Byrove private të Kreditit.
Ndryshimi kryesor është zgjerimi i informacionit që mund të përdoret për të vlerësuar një individ apo biznes, jo vetëm kreditë bankare, por edhe detyrime të tjera financiare.
“Informacion kreditor” përfshin të dhëna për historikun e pagesave, gjendjen e detyrimeve financiare dhe profilin kreditor. Në këtë informacion mund të përfshihen edhe detyrimet tatimore të prapambetura ose pagesa të tjera të detyrueshme. Në historikun kreditor mund të regjistrohen edhe kërkesat për kredi, marrëveshjet e lidhura, shumat e detyrimeve dhe pagesat e prapambetura. Këto të dhëna përdoren për të vlerësuar aftësinë e një personi për të përmbushur detyrimet financiare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Kjo bazë më e gjerë të dhënash do të përdoret edhe për “credit scoring”, një renditje që mat besueshmërinë e klientit përmes modeleve statistikore, matematikore ose algoritmike.
“Subjekti i të dhënave ka të drejtë të njihet me informacionin që përmban historiku i tij kreditor.” Raporti duhet të tregojë edhe burimin e informacionit dhe kush e ka marrë atë. Ky informacion duhet të jepet brenda 5 ditëve dhe pa pagesë një herë gjatë vitit. Nëse qytetari kundërshton saktësinë ose plotësinë e të dhënave, ai ka të drejtë të paraqesë ankesë me shkrim pranë Byrosë së Kreditit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Për qytetarin me histori të mirë paguese, synimi është akses më i lehtë dhe më i shpejtë në kredi, ndërsa për bankat dhe kredidhënësit, më shumë informacion për riskun.
Të dhënat pozitive do të ruhen deri në tre vjet pas përfundimit të kredisë, ndërsa të dhënat negative deri në pesë vjet pas shlyerjes ose shuarjes së detyrimit.







