Nga Besmir Semanaj
Edi Rama na dha sot një lajm që sipas tij duhej lexuar me gojën hapur. Shqipëria është bërë vendi i parë në botë për sigurinë kibernetike. Jo e dyta, jo e pesta, e para. Përpara Izraelit, përpara Gjermanisë, përpara Shteteve të Bashkuara. 98.33 pikë nga 100, sipas një indeksi që quhet National Cyber Security Index.
Vetë titulli i postimit e thoshte se ç’duhej menduar për të. “Lajm i pabesueshëm po 100% i vërtetë”. Kur dikush ndjen nevojën të betohet paraprakisht se ç’po thotë është e vërtetë, zakonisht ia vlen ta kontrollosh vetë, me qetësi.
E kontrollova. Dhe del se e vërteta e vetme këtu është se Shqipëria renditet mirë në një tabelë. Pjesa tjetër e tregimit, se kjo do të thotë se jemi më të mbrojtur se NSA-ja apo Mossadi, se hakerat kanë dështuar me sukses çdo ditë, nuk qëndron.
Çfarë mat në të vërtetë ky indeks
NCSI nuk e ka bërë as OKB-ja, as NATO-ja, as Bashkimi Evropian. E administron e-Governance Academy, një organizatë jofitimprurëse estoneze, financuar kryesisht nga Ministria e Jashtme e Estonisë. Kjo vetvetiu nuk e diskrediton indeksin, është mjet serioz dhe i përdorur gjerësisht prej vitesh. Por duhet kuptuar mirë çfarë mat. Jo nëse serverat e shtetit rezistojnë ndaj një sulmi real, thjesht sa ligje, dekrete, njësi dhe protokolle formale ka miratuar një qeveri. Vetë metodologjia e NCSI e thotë hapur, indikatorët vlerësojnë legjislacionin në fuqi, strukturat e krijuara dhe marrëveshjet e bashkëpunimit.
Dhe kush ia dërgon Talinit provat mbi bazën e të cilave ndërtohet kjo notë? Vetë qeveria shqiptare. AKSK-ja mbush dosjen, ia dërgon eGA-s, dhe eGA e regjistron. Askush nuk vjen fizikisht të testojë nëse dikush mund të hyjë sot te rrjeti i Kuvendit. Kjo shpjegon menjëherë atë që duket si mister. Pse Shtetet e Bashkuara sot renditen të 29-tat në këtë indeks, larg grupit të parë. Jo sepse rrjetet amerikane janë të brishta, kjo e dinë të gjithë që s’është e vërtetë, por sepse një federatë me pesëdhjetë shtete dhe mijëra agjenci nuk mund t’i plotësojë kurrë kaq shpejt kutizat e një liste qendrore sa mund t’i plotësojë një qeveri e vogël dhe e centralizuar. Një qeveri që flet me një zë të vetëm dhe e di saktësisht cilat dokumente duhet t’i dërgojë Talinit para se t’i bëjë foto renditjes.
Rekord bote në shpejtësi burokratike
Ka diçka tjetër që postimi i sotëm harroi ta përmendë. Vetëm disa muaj më parë, në mars të këtij viti, po ky kryeministër kishte njoftuar, po me po aq krenari, se Shqipëria kishte zënë vendin e nëntë në botë, me 92.5 pikë. Domethënë brenda pak muajsh, sipas tregimit zyrtar, Shqipëria ka mbyllur distancën me tetë vende dhe ka kaluar edhe Izraelin, vetë partnerin që Rama e falënderon në të njëjtin postim për arkitekturën e re mbrojtëse.
Në një indeks që përditësohet vazhdimisht, sipas dokumenteve që administrata i dërgon kur t’i dojë qejfi, një hop i tillë nuk do të thotë që gjatë verës Shqipëria ka ndërtuar mure dixhitale të pathyeshme. Do të thotë thjesht që dikush në AKSK ka nisur për Talin një grumbull të ri letrash. Kjo mund të jetë punë e mirë administrative, por s’ka lidhje me atë çfarë kuptojmë zakonisht me siguri kombëtare.
Ndërkohë, në botën ku hakerat vërtet ekzistojnë
Këtu fillon pjesa që s’e gjen dot te postimi triumfalist i kryeministrisë.
Pak javë para se qeveria të festonte vendin e nëntë, në mars, i njëjti grup hakerash i lidhur me Iranin, Homeland Justice, ai që sipas Ramës “dështon çdo ditë”, arriti të fusë duart brenda infrastrukturës IT të Kuvendit të Shqipërisë, me privilegje administratori. Jo një email i vjedhur apo një faqe e rrëzuar për dhjetë minuta. Akses i vërtetë. Ishte sulmi i tretë i suksesshëm i po këtij grupi, pas atij ndaj portalit e-Albania në 2022 dhe atij ndaj Bashkisë Tiranë vetëm muaj më parë, në qershor 2025.
Disa ditë më vonë, jo muaj, u godit sërish Posta Shqiptare. Nga materialet e rrjedhura doli se llogaritë zyrtare të Postës ishin shënjestruar të paktën pesë herë vetëm gjatë 2025-s. Gazetarët e BIRN që mbuluan ngjarjen e vunë re vetë ironinë. Sulmi ndaj Postës erdhi pak ditë pasi Rama kishte deklaruar botërisht vendin e nëntë, dhe ekspertët e pyetur prej tyre shprehën haptazi dyshime nëse masat e marra që nga 2022-shi kanë funksionuar realisht.
As kjo s’është rast i izoluar. Studime akademike mbi incidentet kibernetike në Shqipëri, që mbulojnë periudhën 2014 deri 2024, regjistrojnë një listë të gjatë. Marrje kontrolli mbi serverat e Drejtorisë së Tatimeve në 2023. Vjedhje të dhënave nga platforma e Sigurimeve Shoqërore në 2024. Valë të njëpasnjëshme phishing-u dhe ransomware-i deri vonë.
Pra ndërsa numri në tabelën estoneze ngjitet drejt qiellit, numri i sulmeve reale të suksesshme nuk bie. Të dyja ndodhin njëkohësisht, në të njëjtin vend, nën të njëjtën qeveri. Vetëm njëra prej tyre gjen vend sot në një postim me shkronja të mëdha e emoji flamuri.
Si ndërtohet një triumf
Vlen të shihet edhe mënyra si është shkruar postimi i sotëm i Ramës, sepse asgjë në të nuk është rastësore. Historia e strehës që Shqipëria u ka dhënë hebrenjve, kosovarëve dhe afganëve është reale dhe e denjë për respekt, por s’ka asnjë lidhje logjike me metodologjinë e një indeksi teknik kibernetik. Funksioni i saj në këtë tekst është thjesht emocional. E vendos lexuesin në një humor krenarie kombëtare, para se t’i japësh shifrën që do ta bindësh të mos e pyesë. Kronologjia e zgjedhur, 54, pastaj 15, pastaj 1, kap saktësisht pikat që tregojnë ngjitje dhe kërcen mbi hallkën e ndërmjetme, vendin e nëntë, pikërisht atë që u shoqërua me hakimin e parlamentit. Fjalia “sulmet kanë dështuar me sukses çdo ditë” e mbyll gjithë tregimin me një notë sigurie që, siç pamë, s’e mban dot peshën e vet përballë kronologjisë reale.
Është komunikim politik i ndërtuar me kujdes. Thjesht nuk është analizë kibernetike.
Çfarë do të pyeste gjithsesi një gazetar
Do të ishte mirë të kërkohej nga AKSK-ja dosja e plotë e dokumenteve që i janë dërguar eGA-s, që publiku ta shohë vetë çfarë saktësisht ka kualifikuar Shqipërinë për vendin e parë. Do të ishte mirë të pyeteshin ekspertë teknikë të pavarur, jo zëdhënës qeveritarë, për diferencën mes “kemi ligjin” dhe “jemi vërtet të mbrojtur”. Dhe do të ishte mirë të vihej krah për krah, publikisht, çdo herë që qeveria shpall një renditje të re, lista e sulmeve që kanë funksionuar realisht që nga 2022, parlamenti, posta, tatimet, sigurimet shoqërore. Sepse pikërisht kjo listë është ajo që mungon nga çdo postim triumfalist.
Shqipëria ka bërë me të vërtetë hapa përpara në ndërtimin e kuadrit ligjor e institucional kibernetik. Kjo është e vërtetë dhe meriton t’i njihet. Por një gjë është të thuash “kemi miratuar ligjet e duhura”, dhe krejt tjetër është të thuash “jemi më të mbrojtur se Izraeli dhe SHBA-ja, dhe askush nuk na thyen dot”, pikërisht në javët kur dikush po hynte me akses administratori te serverat e Kuvendit.
Kampion bote në dokumente zyrtare, ndoshta. Kampion bote në siguri kibernetike reale, kjo mbetet për t’u parë herën tjetër që dikush do të na tregojë, rastësisht, ç’ka ndodhur javën para se t’i vinin diplomën.







