Ballina Aktualitet “Buxheti i emergjencave i shkoi Kanye West!”/ Sidorela Vatnikaj nga protesta: Nuk...

“Buxheti i emergjencave i shkoi Kanye West!”/ Sidorela Vatnikaj nga protesta: Nuk e lëshojmë sheshin, Rama jep dorëheqjen!

44
0

Qytetarët dhe aktivistët janë mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë në vijim të protestave kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar. Gjatë fjalës së saj nga podiumi i sheshit, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka lëshuar akuza të forta për vjedhje të fondeve publike, dështim të shërbimeve dhe neglizhencë shtetërore ndaj situatës kritike të zjarreve në vend.

Aktivistja nënvizoi se asnjë nga kërkesat e protestuesve nuk është realizuar deri më tani, ndërsa denoncoi gjendjen e rëndë në sektorët më vitalë të vendit:

“Jemi këtu si çdo ditë për të kërkuar të njëjtat kërkesa sepse asnjëra prej tyre nuk është realizuar! Kjo qeveri që qeveris sot ka qenë e sinqertë vetëm një herë, atëherë kur premtoi se nuk do vidhte kaq haptazi si qeveritë e tjera, por as këtë premtim nuk e mbajtën. Shikoni tenderat e rrugëve, tunele pa hekur, spitale pa ilaçe, shkolla pa ngrohje, burgje me kushte skandaloze, të gjitha shërbimet publike janë në pikë të hallit.”

Më tej, Vatnikaj u ndal te vatrat e zjarreve që kanë përfshirë zonat e mbrojtura në të gjithë Shqipërinë, duke akuzuar pushtetin se ka lënë pas dore emergjencat civile për të financuar aktivitetet e veta:

“Sot ndërkohë që Shqipëria është në zjarr dhe të gjitha zonat e mbrojtura rrezikohen prej zjarreve, sot Shqipëria nuk mundet as t’i dalë zot tokës së vet sepse nuk ka buxhet të shtetit për emergjencat civile. Ajo i ka shkuar një këngëtari si Kanye West pa transparencë publike. Kjo qeveri jo vetëm na ka vjedhur por na tall çdo ditë dhe nuk i merr seriozisht hallet tona, ndërsa buxheti i shtetit shkon për anti-mitingje dhe jo për atë që duhet të ishte sot, për emergjencat civile!”

Ajo përmbylli fjalën e saj duke ritheksuar vendosmërinë e protestuesve për të mos braktisur sheshin deri në plotësimin e kërkesës kryesore:

“Si çdo ditë tjetër, kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe gjithë qeverisë. Nuk e lëshojmë sheshin! Nuk e lëshojmë as shtetin në duart e këtyre që jo vetëm na vjedhin, por tentojnë edhe të na tallin. Ndaj edhe sot kërkojmë: Rama jep dorëheqjen!”