Një tjetër foto e publikuar në rrjetet sociale ka trazuar ujërat politike në vend, duke sjellë sërish në vëmendje marrëdhënien e ngushtë mes Kryeministrit Edi Rama dhe trashegimtarit të perandorisë financiare Soros, Alex Soros.
Kryeministri Rama është fotografuar gjatë një darke private në jug të Shqipërisë, në Dhërmi, i ulur në një tryezë me Alex Soros. I veshur me kapele dhe bluzë sportive, kreu i qeverisë shihet duke konsumuar një pije pranë djalit të miliarderit George Soros, ndërsa restoranti “Zoe Hora” në Dhërmi shërben si sfond i këtij takimi të radhës me dyer të mbyllura.
Ajo që bie në sy është mungesa e çdo njoftimi zyrtar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë apo nga vetë Rama për këtë vizitë apo takim informal. Kjo ka nxitur reagime dhe dyshime të shumta në rrjetet sociale dhe rrethet politike mbi arsyet e kësaj vizite në bregdetin shqiptar gjatë sezonit veror.
Takimet e shpeshta private mes Ramës dhe Alex Soros nuk janë një diçka e re, pasi dy figurat kanë shfaqur shpeshherë afërsi dhe miqësi të hapur në rrjete sociale apo evente ndërkombëtare. Megjithatë, prania e djalit të filantropit amerikan në jugun e vendit rihap pyetjet se cilat janë çështjet apo projektet që po diskutojnë.







