Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë zyrtarisht burrë e grua, pas gati një dekade lidhjeje. Sipas raportimeve të publikuara të martën, çifti ka zhvilluar një ceremoni civile intime në Cascais të Portugalisë.
Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2017, kur Ronaldo dhe Georgina u njohën në një dyqan Gucci, ku ajo punonte si asistente shitjesh.
Lidhja e tyre u bë publike po atë vit dhe që prej atëherë çifti është shndërruar në një nga çiftet më të njohura të sportit dhe showbiz-it.
Gjatë viteve, Ronaldo dhe Georgina kanë krijuar një familje të madhe dhe kanë ndarë së bashku momente të rëndësishme të jetës. Çifti ka dy vajza së bashku, Alana Martina dhe Bella Esmeralda.
Ronaldo është gjithashtu baba i Cristiano Jr., si dhe i binjakëve Eva Maria dhe Mateo.
Në vitin 2022, ata përjetuan një tragjedi të rëndë pas humbjes së djalit të tyre, Ángel, gjatë lindjes.
Pas disa vitesh lidhje, Georgina konfirmoi fejesën me Ronaldon në gusht të vitit 2025.
Modelja publikoi një fotografi të unazës së diamantit, duke bërë të ditur se kishte pranuar propozimin e futbollistit portugez.
Tashmë, pas fejesës dhe viteve të jetës së përbashkët, çifti ka hedhur edhe hapin e fundit.
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez kanë kurorëzuar dashurinë e tyre dhe janë zyrtarisht burrë e grua.







