Një arritje e jashtëzakonshme është realizuar në Detin Baltik. Notari polak Bartłomiej Kubkowski është bërë personi i parë që ka përshkuar me not distancën nga Suedia në Poloni, duke kaluar më shumë se 160 kilometra pa u ndalur dhe pa prekur varkën mbështetëse.
Kubkowski u nis nga Kåseberga në Suedi dhe pas rreth 56 orësh në ujë arriti në bregun e qytetit Dziwnów në Poloni.
Gjatë gjithë këtij udhëtimi ai nuk fjeti dhe nuk doli nga uji, ndërsa ushqimi dhe pijet i siguroheshin nga ekipi mbështetës.
Sfida ishte aq ekstreme sa pas rreth 40 orësh Kubkowski nisi të përjetonte halucinacione për shkak të lodhjes, por pavarësisht gjendjes fizike vazhdoi deri në fund.
Kjo ishte tentativa e tij e pestë. Në vitin 2025, ai kishte arritur të notonte rreth 159 kilometra, por ishte detyruar të ndalej vetëm 11 kilometra para bregut për shkak të lodhjes ekstreme dhe përkeqësimit të motit.
Për Kubkowskin, kjo nuk ishte vetëm një sfidë sportive.
Projekti Ultra Baltic Swim ka mbledhur deri tani më shumë se 715 mijë zloty, rreth 166 mijë euro, për trajtimin e fëmijëve me kancer.
Një sfidë prej më shumë se 160 kilometrash, 56 orë pa gjumë dhe pesë tentativa për ta realizuar atë që dukej pothuajse e pamundur. Bartłomiej Kubkowski tashmë e ka emrin në historinë e notit në ujëra të hapura.







