Ballina Politika Neomalësorja zbulon se zjarret në Krujë janë politike: Guroret duan të zaptojnë...

Neomalësorja zbulon se zjarret në Krujë janë politike: Guroret duan të zaptojnë territore të tjera

61
0

Në një kohë kur ekspertët e mjedisit dhe emergjencave civile përpiqen të kuptojnë faktorët klimatikë apo neglizhencën teknike pas vatravë të zjarrit në vend, deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalësorja, ka arritur të zbërthejë gjeopolitikën e flakëve pas fabrikës së çimentos në Krujë.

Përmes një analize në rrjetet sociale, ish-deputetja e Partisë Socialiste ka paralajmëruar se tri vatrat aktive në zonën e guroreve nuk janë thjesht një fatkeqësi natyrore, por një skenar i mirëmenduar.

“Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja”, shkruan Koçeku, duke i dhënë kështu zjarrit një profil të ri ideologjik dhe një agjendë të qartë expansioniste.

Sipas teorisë së saj, malet nuk po digjen nga vapë apo shkëndijat e pakujdesshme, por nga një plan strategjik për të lehtësuar “depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu”.

Në optikën e Koçekut, flakët shërbejnë si avantgardë diplomacie për bizneset lokale, të cilat, me sa duket, kanë zbuluar se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar aktivitetin është t’i vënë flakën ambientit rrethues.

Për më tepër, analiza nuk ndalet vetëm te bizneset e gurit. Zjarri në Krujë, sipas saj, është gjithashtu viktimë e reformave administrative.

Koçeku ngre shqetësimin se duke shkrirë bashkitë e vogla, po zbehet edhe lidhja emocionale e qytetarit me tokën, çka lë hapësirë për shkretim.

“Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin… Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme”, argumenton ajo.

Mbetet për t’u parë nëse institucionet e emergjencave do të përfshijnë tani e tutje edhe analizat e teorive politiko-territoriale në strategjinë e tyre të fikjes së zjarreve, apo nëse thjesht do të vazhdojnë të përdorin ujë.