Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka hapur një procedurë të re prokurimi me vlerë rreth 23 milionë dollarë për operimin dhe mirëmbajtjen për dy vitet e ardhshme të aseteve gjeneruese termike të vendosura në Vlorë, të njohura si dy TEC-et lundruese apo “dy tigrat”.
Sipas njoftimit të publikuar, procedura është e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, dhe ka si objekt “Operim dhe Mirëmbajtje e Asetit Gjenerues Termik, Vlorë”. Fondi limit është përcaktuar në 1.855 miliardë lekë pa TVSH, ose 23.026 milionë dollarë, duke përdorur kursin zyrtar prej 80.58 lekësh për dollar të datës 13 gusht 2026.
Kontrata parashikohet të ketë një kohëzgjatje prej 731 ditësh, pra dy vite, ndërsa kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 15 shtator 2026, ora 10:00, për paraqitjen e ofertave.
Dokumentet teknike të tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se kontrata nuk kufizohet vetëm te mirëmbajtja e zakonshme e dy anijeve termocentrale. Operatori që do të përzgjidhet duhet të ofrojë një shërbim gjithëpërfshirës të operimit dhe mirëmbajtjes, në mënyrë që asetet të jenë të disponueshme dhe të gatshme për prodhim sa herë që kjo do të kërkohet.
Në termat e referencës përcaktohen ndër të tjera mirëmbajtja e planifikuar dhe e paplanifikuar, sigurimi i materialeve të konsumit dhe pjesëve të këmbimit, raportimi, si dhe ndërhyrjet emergjente. Operatori duhet të garantojë reagim emergjent 24 orë në 7 ditë të javës, mobilizim të menjëhershëm të stafit në rast avarie dhe rikthim sa më të shpejtë të centralit në operim.
Dokumentacioni përcakton gjithashtu detyrimin për monitorim dhe kontroll në kohë reale të pajisjeve, rikthimin në funksionim në distancë ose në vend të pajisjeve pas alarmeve, si dhe riparimin ose zëvendësimin e komponentëve që mund të ndikojnë në performancën e centraleve.
KESH kërkon po ashtu raportim periodik mbi operimin, performancën, mirëmbajtjen, incidentet dhe vetë operimin e mirëmbajtjen (O&M), duke e kthyer kontratën praktikisht në një paketë të plotë për mbajtjen në gatishmëri të aseteve.
Dy TEC-et lundruese janë vendosur në zonën e Triportit, pranë TEC-it të Vlorës. Dokumentet teknike tregojnë se bëhet fjalë për dy anije termocentrale, ndërsa fuqia e instaluar neto e aseteve gjeneruese termike është rreth 110 MW.
Tenderi i ri vjen në një moment kur roli faktik i “dy tigrave” në prodhimin e energjisë elektrike gjatë vitit 2026 ka qenë minimal. Sipas të dhënave më të fundit, dy termocentralet lundruese nuk janë vënë thuajse fare në punë përgjatë këtij viti, pasi nevoja për prodhim termik është reduktuar ndjeshëm.
Në këtë situatë kanë ndikuar kushtet më të favorshme të prodhimit vendas të energjisë. Rritja e prodhimit nga hidrocentralet, e kombinuar me zgjerimin e shpejtë të kapaciteteve fotovoltaike, ka shtuar ofertën e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe ka ulur nevojën për aktivizimin e centraleve termike lundruese.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për “dy tigrat”, pasi prodhimi i tyre lidhet me përdorimin e karburantit dhe, për rrjedhojë, me një kosto relativisht të lartë.
Në këto kushte, dy asetet po duken më shumë si një barrë dhe mbajtja në gjendje pune e tyre do t’i kushtojë KESH-it deri në 1.85 miliardë lekë pa TVSH për dy vitet e ardhshme, nëse tenderi kontraktohet në nivelin e fondit limit. Kjo do të thotë se edhe në një periudhë kur “dy tigrat” prodhojnë pak ose aspak energji, mirëmbajtja, personeli, monitorimi dhe gatishmëria teknike e tyre vazhdojnë të krijojnë një faturë të konsiderueshme për kompaninë publike të energjisë. /ekofin.al







