Një e re nga diaspora, e rritur në Gjermani dhe me profesion politologe, i është bashkuar protestës masive para godinës së Kryeministrisë, ku ka ndarë me të pranishmit historinë e familjes së saj dhe mesazhin e fuqishëm për të ardhmen e vendit.
E reja tregoi se largimi i familjes së saj nga Shqipëria erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e sistemit të korruptuar, ndërsa sot ajo vazhdon të njëjtën betejë për dinjitet:
“Jetoj në Gjermani. Babai im është larguar shumë vite më parë nga Shqipëria prej korrupsionit. Kërkoi që fëmijët e tij të rriten me një kulturë ku të drejtat e njerëzve të jenë prezente, për të cilat sot ende luftojmë.”
Më tej, ajo nënvizoi se formimi i saj profesional e shtyn edhe më shumë të kontribuojë për vendin e origjinës: “Këtë betejë e ndaj edhe unë dhe sot jam politologe. Nuk ka çështje më të ndershme se ajo për kombin tënd!”







