Ballina Rajoni Greqia në alarm për zjarret, 10 rajone lëshojnë Kodin e Kuq

Greqia në alarm për zjarret, 10 rajone lëshojnë Kodin e Kuq

57
0

Greqia është në gatishmëri të lartë për shkak të rrezikut të zjarreve, të favorizuar nga erërat e forta dhe thatësira. Për sot, 15 gusht, 22 rajone janë vendosur në kategorinë 4 të rrezikut nga zjarri, ndërsa në 10 rajone është aktivizuar Kodi i Kuq.

Sipas parashikimeve meteorologjike, erërat në Egje mund të arrijnë deri në 9 Beaufort, ndërsa në Atikë priten erëra deri në 7 Beaufort dhe përkohësisht deri në 8 Beaufort në pjesën lindore të rajonit.

Në alarm të kuq janë vendosur Atika, Kreta, Greqia Qendrore, Egjeu i Veriut dhe i Jugut, Peloponezi, Maqedonia Lindore dhe Trakia, Maqedonia Qendrore, Greqia Perëndimore dhe Ishujt Jonianë. Në këto zona është kërkuar mobilizim i plotë i strukturave të Mbrojtjes Civile, ndërsa bashkitë dhe rajonet duhet të aktivizojnë organet përkatëse të koordinimit për përgatitjen dhe menaxhimin e situatave të mundshme nga zjarret.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr. Ndalohet djegia e barit të thatë, degëve dhe mbetjeve bujqësore, ndezja e zjarreve në zona pyjore dhe bujqësore, përdorimi i pajisjeve që prodhojnë shkëndija, si dhe ndezja e zjarreve për barbecue apo aktivitete të tjera.

Gjithashtu ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve dhe fenerëve fluturues, ndërsa në zonat me rrezik shumë të lartë mund të kufizohet edhe qarkullimi dhe qëndrimi i personave dhe automjeteve në pyje dhe zona të tjera të ndjeshme.

Autoritetet greke vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa erërat e forta pritet të dobësohen gjatë orëve të mbrëmjes.