Nga Lush Culaj
Për dallim nga vitet 1920-1921, vitet 1922-1923 sollën veçori të reja në luftën parlamentare. Nëse në vitet 1920-1921 parlamenti u angazhua vetëm me protesta dërguar parlamenteve të botës së qytetëruar, në vitet vijuese, falë favorizimit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të shtetit shqiptar, u krijuan mundësi të reja për ta rritur nivelin e përpjekjeve për sigurimin e rezultateve më të favorshme. Pushtimi i Çamërisë nga Greqia u pasua me një politikë të veçantë shtypjeje, dhune dhe asimilimi të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Ajo synonte që nëpërmjet dhunës masive fizike, grabitjes së pasurive, dëbimit nga trojet e tyre autoktone dhe kolonizimit me elementë grekë, ta realizonte shkombëtarizimin e kësaj krahine. Informacionet për politikën shfarosëse të Qeverisë greke në Çamëri i prekën thellë ndjenjat e shqiptarëve kudo që ndo-dheshin dhe shkaktuan një shpërthim të fuqishëm zemërimi, ashtu që në mbështetje të vëllezërve të gjakut e ngrinin zërin edhe deputetët e parlamentit. Koncepti po-litik i deputetëve përmbante mbrojtjen e shqiptarëve në Mbretërinë SKS dhe çështjen e Çamërisë. Pikërisht masat për mbrojtjen e vëllezërve çamë u shtruan si objekt dis-kutimi në parlament ose në Këshillin Kombëtar më 18 dhjetor 1922.
Deputeti Ali Kelcyra: Protestojmë për vuajtjet e vëllezërve tanë, të cilët vuajnë nën pushtimin grek
Pas hapjes së mbledhjes, kryetari i Këshillit deklaroi se do të diskutohej për pyetjen që i ishte parashtruar ministrit të Jashtëm për atë se çfarë masash ka ndërmarrë ministria për mbrojtjen e shqiptarëve të Çamërisë. Deputeti Ali Këlcyra paraqiti arsyetimin e kësaj kërkese, duke u shprehur se çdo atdhetar do të dëshironte një shtet ideal me neutralitet dhe në marrëveshje të plotë me fqinjët. Sipas deputetit Këlcyra, mjerisht në periudhën e fundit despotizmi dhe keqpërdorimi i autoriteteve greke ndaj çamëve kishte arritur në një shkallë të tillë, saqë ndjenjat njerëzore më tepër sesa ato patriotike, na detyrojnë të mos i mbyllim veshët përpara këtij zëri të tmerruar të mijëra vëllezërve tanë, të cilët vuajnë nën pushtimin e huaj dhe kërkojnë ndihmën tonë. Duke shtjelluar përsëri se trajtimi i kësaj çështjeje nuk kishte kurrfarë qëllimi irredentist, por vetëm ndjenjë njerëzore që shtrëngonte për lëngime para botës së qytetëruar, deputeti Këlcyra kërkoi nga Qeveria që të prononcohej para Këshillit Kombëtar për masat e ndërmarra në mbrojtje të vëllezërve çamë, të cilët vuanin aq padrejtësisht.
Duke e theksuar faktin se shteti shqiptar i kishte zbatuar plotësisht gjitha angazhimet që i kishte marrë nga Lidhja e Kombeve për minoritetet, deputeti Këlcyra tha: “Shteti shqiptar po vë pikë për pikë në zbatim të gjitha rregullat e Gjenevës dhe i siguron në tërësi të drejtat e pakicës greke”. Mu për këtë arsye, nisur nga obligimi njerëzor dhe kombëtar, jo vetëm deputetët, por edhe Qeveria Shqiptare, gjithsesi duhet të kërkojë nga Lidhja e Kombeve që edhe pala greke t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Çamërisë që ndodheshin brenda territorit të shtetit grek, përfshirë këtu të drejtat politike dhe të drejtat më elementare njerëzore, si: sigurimi i jetës, i pasurisë, i nderit etj. Nëse janë të qëndrueshme të dhënat se ushtarët grekë i tërheqin për flokësh gratë çame, duke i nxjerrë jashtë shtëpive, me qëllim që në shtëpitë e tyre t’i vendosin grekët e Anadollit, kjo përbën një padrejtësi e madhe që pa dyshim do të lërë një njollë të zezë në historinë greke. Grekët kurrë nuk kanë dashur ta kuptojnë se shqiptarët që kanë fenë myslimane nuk mund të quhen turq. Pra, nuk është aspak fisnike dhe e moralshme nga ana e tyre t’i shtypin dhe t’i shkelin vëllezërit tanë, të cilët janë krejtësisht të pafajshëm dhe të cilët i kanë kryer të gjitha obligimet si nënshtetas grekë.
Qeveria i kishte dhënë urdhër delegatit Mehdi Frashëri, në Konferencën e Lozanës, që të bëheshin përpjekje për mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Greqi
Qeveria i kishte dhënë urdhër dele-gatit të saj, Mehdi Frashëri, në Konferencën e Lozanës, ku po diskutohej çështja e minoriteteve, që të bëheshin përpjekje për mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Greqi kurse nga pikëpamja juridike, sipas zëvendës-ministrit, Greqia e kishte nënshkruar një traktat në Sevre me Turqinë, nëpërmjet të cilit kishte garantuar se do t’i mbronte të drejtat e minoriteteve. Për këtë çështje të rëndësishme Qeveria iu drejtua drejtpërdrejt edhe vetë Lidhjes së Kombeve. Deputeti Haxhi Jusuf Banka, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Qeverisë, kërkoi që të vazhdohej më këmbëngulje politika e mbrojtjes së çamëve. Po kështu, ai kërkoi dhe propozoi që Parlamenti Shqiptar t’iu dërgonte telegrame parlamenteve të shteteve të mëdha dhe atyre të shteteve fqinje, duke kërkuar që të ndërhynin qendrat e tyre, në mënyrë që të ndërmjetësonin për t’i ndaluar mizoritë që po i pësonin çamët në Greqi.
Deputeti Bahri Omari foli për nocionin që fqinjët tanë grekë nuk kanë dashur ta njohin kurrë, e ai është ndarja e fesë nga kombi. Siç po shihet, thekson Omari, kjo gjë u konvenon Greqisë dhe Turqisë. Vëllezërit tanë çamë të besimit mysliman po bëhen kurban i reprezaljeve greke kundër turqve, pasi që edhe Turqia ka ndërmarrë masa të tilla kundër të krishterëve. Ai e përmbylli fjalën e tij me kërkesën për diferencimin e nocioneve fe dhe komb, duke theksuar se si një pështjellim i tillë u shkonte për shtati politikave të Greqisë dhe Turqisë për shkëmbim të po-pujve. Omari iu bashkua mendimit për t’iu dërguar notë proteste të gjitha parlamenteve të botës, përfshirë edhe atë grek, në mënyrë që të ndalohen vuajtjet e çamëve.
Seanca parlamentare e asaj dite, që i ishte kushtuar problemit çam, solli në skenën e bisedimeve parlamentare fakte të përpjekjeve të shumta që kishin bërë përfaqësuesit e Qeverisë shqiptare organizmavet ndërkombëtarë për zgjidhjen e këtij problemi. Deputeti Hil Mosi, i cili kishte qenë njëri ndër delegatët e Qeverisë shqiptare në Lidhjen e Kombeve, ndër të tjera, theksoi se kryetari i delegacionit tonë, imzot Noli, kur ta nënshkruante traktatin për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, në emër të shtetit që përfaqësonte të kërkonte që të siguroheshin edhe të drejtat e minoriteteve tona që ndodhen jashtë kufijve.
Deputeti Ali Koprencka: Qeveria të marrë masa reciproke kundër grekofonëve që ndodhen në Shqipëri
Deputeti Ali Koprencka shprehu mendimin se detyra e Qeverisë ishte që të merrte masa reciproke kundër grekofonëve që ndodheshin në Shqipëri, duke iu lutur parlamentit t’i propozojë qeverisë që, në rast se masat e marra nga Qeveria shqiptare për t’i siguruar të drejtat e çamëve nuk japin rezultat të duhur, të merreshin masa kundër grekofonëve dhe për këtë të mos pritej shumë. Në kuadër të kësaj përgjigjeje zëvendësministri i Punëve të Jashtme tha se konventa për sigurimin e të drejtave të minoriteteve ishte një obligim nga Lidhja e Kombeve e jo nga Greqia. Këtu vërehet brishtësia e shtetit shqiptar për të marrë masa adekuate ndaj grekëve. Në këtë kontekst ekzistonte edhe frika e intervenimit direkt grek ndaj Shqipërisë. Ndërsa, deputeti Abdyl Syla shprehu habinë pse Qeveria ishte përkujdesur vetëm për Çamërinë dhe jo edhe për Kosovën, pyetje së cilës zëvendësministri iu përgjigj se shteti jugosllav kishte marrë angazhimet për siguri.
Sigurisht që pikëpamja e reciprocitetit ngjalli diskutime, sepse Shqipëria, si anëtare e Lidhjes së Kombeve, kishte marrë zotimin për respektimin e të drejtave të minoriteteve që jetonin brenda territorit të saj, ndaj nuk mund të mos i respektonte aktet ndërkombëtare që i kishte nënshkruar vetë.
Në atë seancë deputeti Luigj Gurakuqi, në mënyrë të veçantë, vuri në dukje se procesi i gjenocidit grek mbi çamët nuk ishte dukuri e viteve të 20-a, por diçka që kishte filluar që kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër e la atë jashtë kufirit shtetëror shqiptar. Në vijim Luigj Gurakuqi theksoi: “Ndonëse nuk mund ta harrojmë kurrë Çamërinë pse janë vllaznit tonë, pse i thonë një fjalës se si nuk mund të bahet gjaku ujë, apo thonji nuk mund të ndahet nga mishi; megjithkëtë nuk jam për irridentizëm, pse lupet të shkojmë sa më mirë me fqinjët tonë se tue shkue mirë me to, shpëtojmë prej rreziqeve e mund të shpëtojmë edhe vllaznit tonë qi gjinden nën pushtimin e huaj prej mjerimeve”.
Deputeti Gurakuqi synonte krijimin e një Shqipërie stabile dhe të njohur ndërkombëtarisht, e cila më vonë do të ishte në gjendje më të mirë për t’i përkrahur kërkesat e vëllezërve jashtë kufijve. Në vijim, pasi i përshkruan vuajtjet e shqiptarëve, të mbetur jashtë kufijve administrativë shqiptarë dhe qëndrimet e grekëve në raport me çamët në Paqen e Versajës, Gurakuqi kërkoi nga Qeveria shqiptare që të protestohet te qeveritë e Fuqive të Mëdha, Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Lozanës në favor të mbrojtjes së popullit çam në Greqi, por edhe të pjesëve të tjera ku shqiptarët ishin të pushtuar. Vështrimi i problemit nga deputeti Luigj Gurakuqi ishte mjaft i gjerë dhe ai kërkonte jo vetëm të mbroheshin të drejtat njerëzore të çamëve, por njëkohësisht edhe pasuritë e tyre.
Më 1919, kur ishin në Paris, kishte ardhur një lajm nga Qeveria greke, në të cilin theksohet se Greqia i konsideronte myslimanët brenda territorit të saj si turq, ndërsa nga ana tjetër pasurinë e tyre që ndodhej në Greqi nuk mund ta shisnin. Pra, në njërën anë ua konfiskonin pasurinë, ndërsa në anën tjetër i nxirrnin jashtë duke i quajtur turq. Prandaj, ai i kërkonte Qeverisë që, në siste-min e masave që do të ndërmerrte për zgjidhjen e këtij problemi, të bënte çmos që në protestat drejtuar Fuqive të Mëdha, Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Lozanës të kërkonte që çamëve t’u siguroheshin të drejtat civile, sikurse të gjithë nënshtetasve të tjerë grekë.
Bedri Pejani: Në qoftë se çështjet e minoriteteve duhet të rregullohen, ato do të duhej të rregulloheshin ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë e jo me Turqinë
Veçmas i fuqishëm ishte diskutimi i deputetit Bedri Pejani, i cili, duke u prononcuar për masat radikale e jo vetëm diplomatike, i paraqiti masat që i kishte ndërmarrë Qeveria greke kundër çamëve dhe, ndër të tjera, propozoi që Qeveria shqiptare të ankohej në të gjitha instancat ndërkombëtare për të provuar me fakte se Turqia nuk kishte të drejtë që të marrë mbi vete protektoratin e elementit shqiptar me besim mysliman të Çamërisë, të Kosovës e të Malit të Zi. Në qoftë se çështjet e minoriteteve duhet të rregullohen, thoshte ai, ato do të duhej të rregulloheshin ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë e jo me Turqinë. Pejani në këtë seancë solli të dhëna shumë domethënëse për politikën shfarosëse ndaj çamëve. Pejani i elaboroi edhe vendimet e Komitetit Nacional (Ethniqi eteria) nga një mbledhje të komitëve grekë, të mbajtur në Janinë, duke konstatuar se vendimet e tyre ishin kundër çamëve. Greqia, më 10 gusht 1920, miratoi traktatin e Sevrës, me të cilin garantohej nga Qeveria greke qeverisja e vendeve që iu njohën Greqisë (këtu përfshihet edhe Çamëria) në bazë të parimeve të lirisë dhe të drejtësisë. Ky traktat i njihte të gjitha të drejtat për shtetasit bullgarë, turq dhe shqiptarë që banonin në Greqi dhe nuk u ndryshua as në protokollin e Lozanës të 24 janarit të vitit 1923, i cili u ratifikua në vitin 1924. Fatkeqësisht, Greqia e shkeli këtë marrëveshje. Gjatë viteve 1923-1924 ajo i dëboi 10.400 shqiptarë myslimanë nga Çamëria, ndërsa gjatë viteve 1924-1925 i dëboi edhe 20.000 të tjerë. Po ashtu, gjatë viteve 1924-1925, Greqia i dëboi edhe 30.000 shqiptarë myslimanë nga krahina e Janinës dhe e Maqedonisë (Kostur, Follorinë dhe Grebene).
Andaj, bazuar në qëndrimet e Athinës dhe Beogradit, Bedri Pejani theksonte: “Në qoftë se na kërkojmë me krijue një Shqipni e një shtet indipendent që deri diku e kemi krijue, duhet ta dijmë se indipendenca nuk është një luks, e për më e sigurue këtë indipendencë jo vetëm duhet të shkojmë nëpër rrugën diplomatike, por edhe nëpër rrugën e armëvet”. Duke e parashtruar pyetjen se çfarë dobie do të kishin shqiptarët nga një Shqipëri e vogël që nuk është në gjendje që t’i mbrojë bashkëkombësit që po shfaroseshin, deputeti Pejani aludon që Qeveria t’i marrë të gjitha masat për mbrojtjen e elementit çam në Greqi. Në fund të kësaj seance të Këshillit Kombëtar fjalën e mori deputeti Osman Myderizi, i cili konsideroi se kjo çështje ishte rrahur mjaft dhe se masat e ndërmarra nga Qeveria i dukeshin të mjaftueshme. Ai e kundërshtoi pro-pozimin e Ali Këlcyrës për t’iu drejtuar Parlamentit grek me arsyetimin se nga rrëmuja e atjeshme parlamenti nuk ekzistonte. Me kërkesën e ritheksuar nga shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që t’u dërgoheshin telegrame parlamenteve të botës përfundoi kjo seancë. Analiza e të gjitha rrugëve dhe mjeteve politike e diplomatike për zgjidhjen e kësaj çështjeje ishte synimi i seancës parlamentare. Megjithatë, jashtë vështrimit të deputetëve, siç e theksuam më lart, nuk mbeti as opsioni i rrugës së arma-tosur. Këtë gjë deputetët e shihnin si mjetin e fundit që diktohej nga domosdoja e mbrojtjes me çdo kusht të të drejtave të bashkëkombësve dhe lirisë e pavarësisë së vendit. Prandaj, në parlament u theksua: “Ideali ma fisnik i një kombi asht me mbrojtë të drejtat e veta me çdo mjet”.
Mithat Frashëri: Preferoj të shkoj në Greqi si ministër meqenëse ka më shumë punë, sesa të vete në Washington
Në fillim të vitit 1923, me vendim të Këshillit të Ministrave ishte dërguar në Greqi, me një mision special, ambasadori i Shqipërisë në Washington, Mithat Frashëri, që t’i hapte relacionet diplomatike ndërmjet dy vendeve. “Preferoj të shkoj në Greqi, – i thotë Mithat Frashëri ministrit të Jashtëm shqiptar Pandeli Evangjeli, meqenëse ka më shumë punë sesa të vete në Washington” dhe i kërkon një flamur shqiptar për ambasadën e punuar bukur. Mithati përpiqej që edhe me simbolet e saj, veçanërisht me flamu-rin kombëtar, ta përfaqësonte sa më denjësisht Shqipërinë.
Bazuar në këto përpjekje qeveritare për mbrojtjen e popullatës së pafajshme çame, Mehdi Frashëri, i deleguar i Shqipërisë në Konferencën e Lozanës i ishte drejtuar z. Montagna, kryetar i Komisionit të Pakicave në Lozanë më 11 janar 1923, me ç’rast kishte shprehur detyrimin e delegacionit shqiptar për ta sjellë në qendër të vëmendjes fatin e shqiptarëve me banim në Greqi dhe veçanërisht në Epirin Jugor që i ishte dhënë Greqisë më 1913.
Nga ana tjetër edhe Pandeli Evangjeli, ministër i Punëve të Jashtme në Tiranë, më 15 janar 1923, i drejtohej kryeministrit shqiptar, duke theksuar: “Sa për çështjen e mizorinave të Qeverisë greke kundër shqiptarëve banues në Çamëri, kemi bërë demarshe në të gjitha qarqet që mund të kenë një influencë mbi zhvillimin e kësaj çështje, dhe këto demarshe kanë bërë një përshtypje të mjaftë.
Gjithashtu, ambasadori shqiptar në Athinë, Mithat Frashëri, i drejtohej ministrit shqiptar të Punëve të Jasht-me, më 23 qershor 1923, duke e njoftuar për materialet e një gazete të Janinës dhe premtimet e prefektit të Janinës, sipas të cilave edhe shqiptarët do të këmbeheshin si turqit me grekët e Azisë.
Më 1 gusht 1923 kryeministri shqiptar i drejtohej Mithat Frashërit në Athinë duke iu lutur që të vinte në Tiranë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në emër të Qeverisë shqiptare të deklaroheshin bashkërisht se Shqipëria, duke i respektuar plotësisht të drejtat e minoriteteve greke në territorin e saj, ka të drejtë të kërkojë nga Qeveria greke një qëndrim të ngjashëm. Po në këtë datë ky njoftim iu dërgua edhe sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve.
E një rëndësie të veçantë ishte paraqitja e Mithat Frashërit, i deleguar i parë i Shqipërisë në Asamblenë IV të Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve, i cili i drejtohej Erik Drummondit, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, më 24 shtator 1923, me ç’rast demaskonte ligjet greke që i diskriminonin çamët.
Meqenëse kjo çështje ishte një ndër prioritetet e Qeverisë, Ahmet Zogu, kryeministër i Shqipërisë, më 7 nëntor 1923, u drejtohej ambasadave shqiptare në Romë, Paris dhe Londër nëpërmjet telegrameve dhe i luste të ndërhynin sa më shpejt te qeveritë e atyre vendeve, në mënyrë që të zbatohej vendimi i 20 janarit i Konferencës së Lozanës lidhur me përjashtimin e elementit shqiptar nga këmbimi i popullsisë greko-turke. Në rast pamundësie të zbatimit të këtij vendimi, Qeveria shqiptare parashikonte të bënte kërkesë për këmbimin e elementit grekofolës të Shqipërisë me shqiptarët e Greqisë, duke i mbrojtur të drejtat e çamëve të vendosur në Shqipëri, të cilët kishin pasuri në Greqi.
Me gjithë përpjekjet e shumta diplomatike dhe protestat në arenën ndërkombëtare dhe me gjithë premtimet e qeveritarëve grekë se do t’i respektonin të drejtat e minoritetit çam në Greqi, dhuna mbi atë popullsi ishte e vazhdueshme. Ja se çka i shkruan Mithat Frashëri, ambasador i Shqipërisë në Athinë, lidhur me këtë çështje ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme më 14 nëntor 1923: “Të dhënat që marr më informojnë se në Çamëri mbretëron një politikë terrori, dhe autoritetet bëjnë gjithë çka u vjen për dore për t’i detyruar shqiptarët që t’i lënë pronat e tyre.”







