Ballina Politika “Edi Rama dhe ministrat e tij rreziten në diell”/ Reagon, Berisha: Ka...

“Edi Rama dhe ministrat e tij rreziten në diell”/ Reagon, Berisha: Ka dështuar me turp, vjeshta është e lirisë

61
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të shtunë bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale.

PJESË NGA DEKLARATAT E BERISHËS:

Java ishte një javë tejet e nxehtë, e dominuar nga protesta në mbarë vendin, në Tiranë dhe në një seri qarqesh të Shqipërisë kundër korrupsionit, arbitraritetit të kreut të Meduzës, Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.

Java ishte javë e zjarreve, e dhjetëra e dhjetëra zjarreve të shumta, të cilat kërcënuan jo në një, por në disa zona të banuara të vendit banesa dhe jetën e qytetarëve.

Përballë këtyre zjarreve, narkoqeveria vazhdonte vakancat. Edi Rama dhe ministrat e tij rreziteshin në diell, duke luajtur kumbar dhe në indiferencë të plotë të kësaj që ndodh.

Prej mbi 2 javësh, me dhjetëra e qindra punonjës heroikë të zjarrfikësve dhe të tjerë janë përballur me guxim me zjarret në katër anët e vendit.

Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës. Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim.

Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët.

Ndërkohë, protesta rinore qytetare, uragani i lirisë vazhdon i pamposhtur.

Ka dështuar me turp e gjithë përpjekja e Edi Ramës për ta përçarë, të gjitha format e përdorura për kërcënim, miklim, etj., ndaj tyre.

Ajo protestë është sot zëri i Shqipërisë në Evropë dhe në botë.

Pavarësisht nga indiferenca kriminale që qeveria dhe Edi Rama dëshmojnë ndaj saj.

Pavarësisht nga metodat e terrorizmit politik dhe psikologjik që përdoren ndaj protestuesve, asgjë nuk do ndalë uraganin e lirisë pa triumfuar.

Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat të marrë pjesë në protestë, të mbështesë protestën me pjesëmarrjen e tij ose të saj, si një kontribut historik për vendin, si një kontribut historik për të ardhmen e Shqipërisë.