Ballina Aktualitet “Mbajmë rekord për…” – Lutfi Dervishi me 20 thumbime për realitetin shqiptar

“Mbajmë rekord për…” – Lutfi Dervishi me 20 thumbime për realitetin shqiptar

58
0

Publicisti dhe gazetari Lutfi Dervishi ka ironizuar realitetin shqiptar përmes një liste me 20 fusha ku, sipas tij, shqiptarët “mbajnë rekord”.

Në një postim në Facebook, Dervishi ka renditur me humor e sarkazëm një sërë dukurish që lidhen me politikën, emigracionin, median, ndërtimin, drejtësinë, biznesin dhe jetën e përditshme.

Në krye të listës së tij janë “numri i bareve, kafeneve dhe parukierëve për banor”, ndërsa më pas përmenden numri i emigrantëve në raport me popullsinë dhe numri i infermierëve që janë larguar jashtë vendit.

Dervishi thumbon edhe sistemin e drejtësisë dhe politikën, duke përmendur “numrin e të paraburgosurve në raport me të burgosurit”, numrin e koncesioneve dhe PPP-ve, lejet e ndërtimit, partitë politike dhe kandidatët për deputetë që nuk arrijnë të zgjidhen.

Në shënjestrën e ironisë së tij janë edhe mediat.

“Numrin e mediave dhe portaleve për banor” dhe “numrin e ekspertëve televizivë për çdo problem të mundshëm”, shkruan Dervishi në dy prej pikave të listës.

Ai përmend gjithashtu numrin e veteranëve në raport me luftëtarët, numrin e gjeneralëve në raport me madhësinë e ushtrisë, numrin e apartamenteve bosh, si dhe raportin mes akademive, akademikëve e doktoraturave me patentat dhe shpikjet.

Lista vazhdon me një sërë krahasimesh të tjera ironike, nga numri i makinave Mercedes dhe pikave të karburantit, deri te lokalet e dasmave, juristët, avokatët, noterët dhe farmacitë për banor.

Postimi i Dervishit, ndonëse i ndërtuar në formë satire dhe jo si renditje statistikore zyrtare, ka marrë reagime të shumta në rrjetet sociale.

Përmes humorit, ai ngre në fakt një sërë çështjesh që prej vitesh janë pjesë e debatit publik në Shqipëri, veçanërisht emigracionin, mbingarkesën e tregut me profesione të caktuara, ndërtimin, politikën, koncesionet dhe mënyrën se si funksionon debati mediatik.

Mbajmë rekord për… 
20. Numrin e farmacive për banor
19.Numrin e juristëve, avokatëve dhe noterëve për banor
18. Numrin e akademive, akademikëve dhe doktoraturave në raport me patentat dhe shpikjet
17. Numrin e lokaleve të dasmave në raport me martesat
16. Numrin e karburanteve dhe lavazheve për kilometër rrugë
15. Numrin e makinave Mercedes për frymë
14. Numrin e partive politike për votues
13. Numrin e kandidatëve për deputet që nuk bëhen deputetë
12. Numrin e mediave dhe portaleve për banor
11. Numrin e ekspertëve televizivë për çdo problem të mundshëm
10. Numrin e gjeneralëve në raport me madhësinë e ushtrisë
9. Numrin e veteranëve në raport me luftëtarët
8. Numrin e reformave për çdo sektor
7. Numrin e apartamenteve bosh
6. Numrin e lejeve të ndërtimit në raport me popullsinë
5. Numrin e koncesioneve dhe PPP-ve në raport me madhësinë e ekonomisë
4. Numrin e të paraburgosurve në raport me të burgosurit
3. Numrin e infermierëve që kanë ikur jashtë
2. Numrin e emigrantëve në raport me popullsinë
1. Numrin e bareve, kafeneve dhe parukiereve për banor.