Ballina Politika Qiratë në Tiranë, Partia e Lirisë: Çiftet e reja nuk i përballojnë...

Qiratë në Tiranë, Partia e Lirisë: Çiftet e reja nuk i përballojnë më, duhen politika më të mira strehimi!

82
0

Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për rritjen e çmimeve të qirave në Tiranë, duke thënë se ato po bëhen të papërballueshme për çiftet dhe familjet e reja. Sipas kryetares së Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë, Myrvete Asqeri, kjo situatë është pasojë e mungesës së politikave të qëndrueshme të strehimit për të rinjtë. Ajo tha se Partia e Lirisë propozon politika për mbështetjen e familjeve të reja, me fokus strehimin dhe mbështetjen financiare.

Deklarata e plotë

“Tirana po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme për shqiptarët. Qiratë kanë arritur nivele absurde: deri në 1,500 euro për një apartament 2+1 në qendër të Tiranës, ndërsa mesatarja shkon në qindra euro në muaj. Kjo nuk është thjesht një krizë e tregut të banesave. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të një qeverie që ka zgjedhur betonizimin, kullat dhe interesat e oligarkëve mbi familjet shqiptare.

Sot një çift i ri përballet me një pyetje të pamundur, si të ndërtojë familje, të blejë një shtëpi apo të rrisë fëmijë, kur një pjesë dërrmuese e të ardhurave shkon vetëm për qiranë? Qeveria Rama ka dështuar të krijojë një politikë reale dhe të qëndrueshme strehimi për të rinjtë. Në vend që të mbështesë familjet e reja, ajo ka lejuar që çmimet e apartamenteve dhe qiratë të largohen gjithnjë e më shumë nga mundësitë reale të qytetarëve.

Partia e Lirisë ka një alternativë të qartë për çiftet dhe familjet e reja. Në programin e saj, 5 prioritete për katër milionë shqiptarë plus përfshihen politika konkrete për mbështetjen e çifteve të reja, ku kryesorja është strehimi, mbështetje financiare për familjet dhe nënat, si dhe krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, jo të detyrohen të emigrojnë. Një vend që dëshiron të ketë të ardhme duhet t’u japë të rinjve mundësinë të krijojnë familje dhe të kenë një shtëpi.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë kulla. Kanë nevojë për shtëpi që mund t’i përballojnë. Pas më shumë se një dekade në pushtet, kjo qeveri duhet të japë llogari: përse banesa është kthyer në luks dhe pse familjet shqiptare po paguajnë çmimin e një modeli ekonomik që favorizon të pasurit në kurriz të qytetarëve? Partia e Lirisë do të vazhdojë të kërkojë politika që vendosin familjen shqiptare në qendër dhe i japin çifteve të reja mundësinë për të jetuar, punuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri”