Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar gjendjen e kabinave elektrike të vendosura buzë rrugëve në Sarandë, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve në kushtet e temperaturave të larta. Përmes një reagimi publik, Zhupa ironizon mënyrën e mirëmbajtjes së kabinave, ku janë vendosur freskuese për të shmangur mbinxehjen, ndërsa kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
E dhimbshme dhe njëkohësisht qesharake se në çfarë gjendjeje është katandisur shteti!
Këto janë kabinat elektrike buzë rrugëve në Sarandë. Në mes të qytetit, në temperatura të larta, teknologjia “moderne” duket se konsiston në dy freskuese të vendosura brenda kabinave, për të shmangur mbinxehjen dhe ndonjë defekt apo shpërthim.
Në cilin standard europian e gjejmë këtë? Apo në cilin nivel të “mirëmenaxhimit” që propagandon Gonxhja bashkë me “vizionin” e Cacit të bashkisë?!
Por përtej pamjes absurde, këtu kemi një çështje serioze sigurie. Kabinat elektrike të vendosura në hapësira urbane duhet të plotësojnë standarde të qarta teknike, të jenë të mirëmbajtura dhe të siguruara për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset përreth.
Nuk mund të presim një incident, zjarr apo tragjedi që institucionet të kujtohen të ndërhyjnë.
Kërkoj masa të menjëhershme dhe një inspektim urgjent të kabinave elektrike në Sarandë. Të verifikohet gjendja teknike, standardi i sigurisë dhe kapaciteti i tyre për përballimin e temperaturave të larta.







