Nga sheshi përpara Kryeministrisë, një emigrant shqiptar nga Gjermania deklaroi se diaspora vijon të mbështesë protestat në Tiranë, ndërsa sipas tij, tubime në mbështetje të protestuesve po zhvillohen çdo javë në vende të ndryshme të botës.
Ai e cilësoi qeverisjen e Edi Ramës si “diktaturë” dhe tha se shqiptarët në diasporë nuk janë vetëm në ditët kur zhvillohen protestat në Tiranë.
“Diaspora nuk është vetëm këto tre ditë, një herë në muaj, por çdo ditë me ju. Në diasporë zhvillohen protesta çdo javë pa pushim. Deri më tani 300 protesta të numëruara dhe vazhdojnë të rriten”, deklaroi ai.
Emigranti tha se protestat janë shtrirë nga Amerika dhe Evropa deri në Australi, duke theksuar se qytetarët në Shqipëri nuk janë të vetëm në kërkesat e tyre.
“Në protestat tona nuk perëndon dielli. Shqiptarët protestojnë nga Amerika, Evropë dhe deri në Australi. Prandaj ju mos kujtoni se jeni vetëm, por jemi 7 milionë shqiptarë anembanë botës që kërkojmë dorëheqjen e pushtetit dhe opozitës aktuale”, u shpreh ai.
Ai pretendoi gjithashtu se protesta ka marrë mbështetje nga Parlamenti Evropian dhe se, sipas tij, lëvizja ka nxjerrë në pah atë që e cilësoi si “fytyrën e vërtetë” të kryeministrit Edi Rama.
“Kjo protestë ka arritur që ne të kemi mbështetjen e PE-së, që të nxjerrë frymën e vërtetë të këtij palo kryeministri që bën si palaço nëpër media internacionale”, tha ai.
Në përfundim deklaroi se pushtetarët, sipas tij, do të largohen “gur më gur”, duke e krahasuar pushtetin me një kala që, sipas tij, do të rrëzohet.







