Nga Red Varaku
Protesta duket se ka rrëzuar një nga shtyllat themelore mbi të cilat është ndërtuar politika shqiptare për tri dekada, ndarjen klasike mes të majtës dhe të djathtës, demokratëve dhe socialistëve, konservatorëve dhe liberalëve.
Jo sepse këto ndarje janë zhdukur, por sepse për një pjesë gjithnjë e më të madhe të shoqërisë ato nuk mjaftojnë më për të shpjeguar realitetin.
Kjo sepse ajo që po lind përfaqëson një konflikt të ri politik. Janë forcat anti-sistem kundër forcave që mbrojne sistemin, forcat anti-establishment kundër establishmentit, ndryshimi kundër status quo.
Kjo është arsyeja pse protesta nuk mund të lexohet thjesht si një përplasje e radhës mes qeverisë dhe opozitës, por ajo po prek diçka më të thellë, marrëdhënien e qytetarit me vetë sistemin politik.
Për herë të parë pas shumë kohësh, pyetja nuk është vetëm se kush duhet të qeverisë Shqipërinë, por cili sistem duhet ta prodhojë qeverisjen e ardhshme.
Pikërisht këtu fillon problemi i madh për partitë tradicionale.
Sepse ato sot ndodhen përballë një dileme historike që nuk mund ta shmangin pafundësisht, ose të mbrojnë sistemin që i ka prodhuar, ose të pranojnë nevojën për të ndryshuar sistemin që i ka prodhuar.
Nëse ato zgjedhin të mbrojnë status quo-në, rrezikojnë të identifikohen gjithnjë e më shumë me establishmentin dhe me problemet e tij si dhe të mbajnë faturën që prodhon ky qëndrim.
Ama nëse zgjedhin ndryshimin, kjo do të duhej të prodhonte një fenomen të ngjashëm me atë që ndodhi në Partinë Republikane me një fenomen me nuanca të forta anti-establishment si Donald Trump, ku ky i fundit e shkuli nga rrënjët establishmentitn e vjetër të republikanëve, dhe atë që po ndodh aktualisht me Partinë Demokratike në SHBA me Mamdanin dhe Abdul Sayed, ku aktualisht po përmbyset totalisht establishmenti i vjetër i demokratëve si një përgjigje ndaj kërkesave të shoqërise Amerikane .
Vetëm kështu ndryshimi nuk mund të jetë vetëm rotacion pushteti siç ka qenë deri dje, por ai do të prekë dhe transformojë vetë mekanizmat që kanë prodhuar këtë politikë, këtë klasë politike dhe këtë mënyrë qeverisjeje.
Kjo është arsyeja pse beteja e ardhshme politike nuk do të jetë domosdoshmërisht më PD kundër PS-së, por mund të jetë shumë më tepër një betejë midis status quo dhe ndryshimit.
Dhe kjo e vendos politikën shqiptare përballë një momenti historik por dhe të pakthyeshëm. Sepse nga ky monent Partitë tradicionale nuk mund të vazhdojnë të kërkojnë votën e qytetarëve duke përdorur të njëjtën gjuhë, të njëjtat ndarje dhe të njëjtat formula.
Kjo sepse kur shoqëria ndryshon pyetjen, partitë detyrohen të ndryshojnë përgjigjen.
Ndaj ,dilema e vërtetë e politikës shqiptare tashmë është a do të bëhen partitë pjesë e ndryshimit që po kërkon shoqëria, apo do të bëhen mbrojtëset e fundit të një sistemi që shoqëria po e refuzon tashmë masivisht? Përgjigja ndaj kësaj pyetje do të vendosë dhe fatin e tyre politik.
Në këtë kuptim, protesta merr një dimension historik, sepse mund të jetë fillimi i një transformimi radikal dhe një riorganizim i të gjithë konfliktit politik shqiptar .







