Ballina Ekonomia Bizneset online, në “lupën” e tatimeve/ Miratohet strategjia që synon formalizimin në...

Bizneset online, në “lupën” e tatimeve/ Miratohet strategjia që synon formalizimin në këtë sektor

53
0

Tregtia dhe shërbimet online do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme nga Administrata Tatimore. Strategjia kundër informalitetit në këtë sektor fokusohet te: identifikimi i bizneseve që ushtrojnë aktivitet online; deklarimi i saktë i qarkullimit dhe përmbushja e detyrimeve të TVSH-së; deklarimi i punonjësve dhe pagave; respektimi i rregullave të faturimit elektronik, si dhe përdorimi i analizës së riskut.

Në lupën e Administratës Tatimore do të kalojnë mbi 2 mijë subjekte aktive të identifikuara si pjesë e sektorit.

Mesazhi kryesor për bizneset online është se aktiviteti në internet nuk i përjashton këto biznese nga detyrimet tatimore.

Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.

Vendosja e sektorit online nën monitorim lidhet me zgjerimin e fortë të këtij tregu, pasi nga të dhënat, mbi 42% e individëve të moshës 16-74 vjeç rezulton se kanë kryer blerje online gjatë vitit 2024.

Pandemia COVID-19 e shndërroi blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Ndërsa kategoritë mbizotëruese janë veshjet, këpucët, aksesorët, e ndjekur nga ushqimi me porosi.