Ballina Europë “Luftë e shenjtë” në Itali/ Murgeshat përplasen me bashkinë për plazhin që...

“Luftë e shenjtë” në Itali/ Murgeshat përplasen me bashkinë për plazhin që menazhojnë prej 80 vitesh

101
0

Një konflikt i pazakontë ka shpërthyer në bregdetin e Ligurias, ku një grup murgeshash të moshuara janë përplasur me autoritetet lokale për menaxhimin e një plazhi që e drejtojnë prej rreth 80 vitesh.

Rasti, të cilin mediat italiane e kanë përshkruar si një “luftë të shenjtë”, lidhet me një shtrirje prej rreth 50 metrash rërë në Bagni Gino Garrone, në qytetin bregdetar të Spotorno. Plazhi administrohet nga murgeshat e urdhrit Suore di Carità di Santa Maria, por bashkia ka vendosur që koncesioni të kalojë nëpër një tender publik.

Vendimi lidhet me përpjekjet për të zbatuar rregullat evropiane mbi koncesionet e plazheve, si dhe me dispozitat rajonale që parashikojnë kuota të caktuara për aksesin e lirë në bregdet.

Murgeshat morën përsipër menaxhimin e zonës bregdetare në vitin 1946 dhe për dekada u përjashtuan nga disa prej rregullave të zakonshme tregtare, pasi të ardhurat nga aktiviteti i plazhit përdoreshin për qëllime bamirësie dhe shërbime me interes publik.

Mes aktiviteteve që financohen prej tyre janë një shkollë për fëmijë të vegjël në Spotorno, si dhe një kamp veror në plazh.

Ashtu si në shumë plazhe private në Itali, murgeshat kanë dhënë me qira prej dekadash shezlongë dhe çadra për pushuesit. Megjithatë, ato argumentojnë se të ardhurat nuk përbëjnë fitim biznesi, pasi përdoren për aktivitetet bamirëse të urdhrit.

Por rregullat që u lejonin ta menaxhonin plazhin në këtë mënyrë tashmë kanë ndryshuar.

Kryetari i bashkisë së Spotornos, Mattia Fiorini, i ka informuar murgeshat se koncesioni do të riklasifikohet si një “plazh i organizuar falas”. Kjo nënkupton se hyrja në plazh dhe aksesi në breg do të jenë falas për të gjithë, ndërsa vizitorët do të mund të paguajnë një tarifë të vogël për përdorimin e shezlongëve dhe çadrave.

Nëse murgeshat duan të vazhdojnë ta menaxhojnë plazhin, ato duhet të marrin pjesë në një tender publik, njësoj si operatorët e tjerë.

Vendimi ka shkaktuar zemërim te murgeshat. Gjatë një debati publik, Motër Miranda, e cila është mbi 80 vjeç, iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të bashkisë.

“Është i yni. Pse bashkia do të na e heqë plazhin? Nëse do ta bëjë këtë, ne nuk do të jemi në gjendje ta mbajmë shkollën në punë”, tha ajo, sipas Corriere della Sera.

Murgeshat frikësohen se ndryshimi i mënyrës së menaxhimit do të ulë ndjeshëm të ardhurat e tyre dhe, për rrjedhojë, fondet që mund t’u kushtojnë aktiviteteve bamirëse.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Fiorini duket i vendosur të zbatojë rregullat e reja.

Nëse murgeshat dëshirojnë të vazhdojnë të menaxhojnë koncesionin, “ato duhet të marrin pjesë në konkurs, si të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ai. Tenderi pritet të shpallet gjatë vjeshtës.

Konflikti me BE-në për koncesionet e plazheve

Rasti i Spotornos ka një rëndësi më të gjerë, pasi bashkia mund të jetë ndër të parat në Itali që zbaton afatin e 30 qershorit 2027 për tenderimin publik të koncesioneve ekzistuese të plazheve private, në kuadër të rregullave evropiane të njohura si Direktiva Bolkestein.

Çështja e koncesioneve të plazheve ka qenë prej gati dy dekadash një nga pikat më të vazhdueshme të përplasjes mes Italisë dhe Bashkimit Evropian.

Qeveritë italiane kanë rezistuar për vite me radhë ndaj zbatimit të plotë të rregullave të konkurrencës, nën presionin e pronarëve dhe menaxherëve të plazheve private, të cilët kanë frikë se tenderët e hapur mund t’u rrezikojnë bizneset që në shumë raste janë shumë fitimprurëse.

Në fund, qeveria e Giorgia Melonit u detyrua të pranonte zbatimin e afateve përkatëse, nën presionin e Brukselit dhe vendimeve të gjykatave italiane.

Tashmë, në Spotorno, një grup murgeshash që e kanë menaxhuar të njëjtin plazh që nga viti 1946 përballen me një situatë të pazakontë, për të vazhduar punën e tyre, sepse duhet të fitojnë një tender publik.