Partia e Lirisë ngre shqetësimin për ecurinë e procesit të rindërtimit në Durrës, teksa anëtarja e Këshillit Bashkiak, Anisa Ibraj, kërkon transparencë për fondet e vitit 2026 dhe situatën e familjeve që ende presin banesat apo ndihmën e qirasë.
Deklarata e anëtares së Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj:
Përshëndetje!
Në nëntor te ketij viti mbushen plot shtatë vite nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019. Shtatë vite gjatë të cilave familjeve të Durrësit iu premtua strehim, iu premtua rindërtim dhe iu: premtua se jeta e tyre do të rikthehej në normalitet. Por shtatë vite më pas, për mijëra qytetarë, ajo ditë ende nuk ka përfunduar.
Vitet kanë kaluar, ndërsa familjet e dëmtuara janë detyruar të presin, të trokasin në dyer zyrash, të kërkojnë atë që u takon dhe, në jo pak raste, të përballojnë vetë shpenzimet e strehimit.
Në vitin 2023, rreth 2 500 familje në Durrës vijonin të trajtoheshin me ndihmë qiraje dhe qytetarët protestonin se prej muajsh nuk e kishin marrë atë. Në vitin 2024, dhjetëra familje dolën sërish në protestë, duke denoncuar mungesën e banesës dhe të ndihmës së qirasë. Në vitin 2025, mbi 1 000 familje ende prisnin të hynin në apartamentet e tyre.
Kjo është kronika e vërtetë e rindërtimit në Durrës. Jo ajo që shfaqet në fjalimet e pushtetit, por ajo që kanë përjetuar qytetarët në këto shtatë vite.Dhe sot, në vitin 2026, vjen një tjetër e dhënë që e rëndon edhe më shumë këtë dështim. Nga mbi 1 miliard lekë të parashikuara për Durrësin për rindërtimin, deri në fund të qershorit janë përdorur vetëm 15.1 milionë lekë, ose rreth 1% e fondit. Këtu qëndron thelbi i çështjes: paratë janë, por rindërtimi nuk ecën.
Si mund të shpjegohet që, shtatë vite pas tërmetit, një familje ende të presë ndihmën e qirasë, ndërsa një tjetër të endet për vite me radhë për të marrë banesën që i është premtuar? Si mund të qëndrojnë bosh apartamente të ndërtuara pikërisht për familjet e dëmtuara, ndërkohë që familje të tjera vazhdojnë të paguajnë qira dhe të jetojnë në pasiguri?
Ne si Parti e Lirisë kerkojme transparencë të plotë për fondet e rindërtimit të vitit 2026, të bëhet publike sa familje ende nuk janë sistemuar, sa familje presin ndihmën e qirasë, sa banesa të përfunduara nuk janë dorëzuar dhe përse fondet e parashikuara nuk po shndërrohen në vepra konkrete.
Keto janë pyetje dhe kerkesa që burojnë nga e drejta e qytetarëve për të ditur se çfarë bëhet me paratë publike dhe përse nuk u jepet atyre ajo që u është premtuar.
Durrësi nuk mund të jetë vendi ku një familje pret me vite për një çati, ndërsa një banesë e ndërtuar me paratë e taksapaguesve qëndron e mbyllur.
Dhe nuk mund të pranohet që pas shtatë vitesh përgjegjësia të humbasë nëpër zyra, shkresa dhe arsyetime.Si anëtare e Këshillit Bashkiak ne Bashkine e Durresit do të vijoj ta ngre këtë çështje me të njëjtën vendosmëri, derisa çdo familje e prekur nga tërmeti të marrë atë që i takon dhe çdo fond publik të ketë destinacionin për të cilin është miratuar.







