Ballina Kronika Vrasja e Ardian Nikulajt, Gjykata Supreme në Londër pranon apelimin e Shqipërisë...

Vrasja e Ardian Nikulajt, Gjykata Supreme në Londër pranon apelimin e Shqipërisë për ekstradimin e Edmond Haxhisë

51
0

Gjykata Supreme në Londër ka pranuar apelimin e shtetit shqiptar për ekstradimin drejt vendit tonë të grupit pjesëmarrës në vrasjen e Ardian Nikulajt, ngjarje e ndodhur në vitin 2023 në lokalin e tij në Lezhë.

Bëhet fjalë për ekstradimin e Edmond Haxhisë, i cili ishte në rolin e organizatorit dhe porositësit, si dhe Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, që ishin në rolin e vëzhguesve të objektivit (Ardian Nikulajt).

Portugezi Ruben Saraiva, i cili është edhe autori i dyshuar i vrasjes së Nikulajt, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës.

Pas identifikimit të pjesëmarrësve në atentat dhe organizatorit, Shqipëria i bëri kërkesa për ekstradimin e tyre Sekretarit të Brendshëm britanik për veprat penale “Vrasje për shkak të gjakmarrjes” dhe “Prodhim dhe posedim i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe municionit”.

Këto kërkesa për ekstradim u certifikuan më pas nga Sekretari i Brendshëm si të vlefshme sipas nenit 70 të Ligjit të Ekstradimit të vitit 2003 (“Ligji i vitit 2003”).

Por, gjatë seancës dëgjimore për ekstradim, kërkesat e bëra nga qeveria shqiptare ndryshuan. Kjo për shkak të një ngatërrese nga Sekretari i Brendshëm britanik gjatë lëshimit të certifikatave. Kështu që në përfundim të seancës dëgjimore, kërkesat ishin për ekstradim për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” dhe jo “vrasje për shkak të gjakmarrjes”.

Gjykatësi i Rrethit arriti në përfundimin se çdo çështje duhet t’i dërgohet Sekretarit të Brendshëm për të vendosur nëse do të urdhërojë ekstradimin e individit përkatës sipas nenit 93 të Ligjit të vitit 2003. Sekretari i Brendshëm urdhëroi që çdo person të ekstradohet në Shqipëri për akuzat e identifikuara në kërkesat për ekstradim.

Por të anketuarit, duke përfituar nga ngatërresa e Sekretarit të Brendshëm, apeluan kundër vendimit të Gjykatësit të Rrethit për t’i dërguar çështjet Sekretarit të Brendshëm sipas nenit 103 të Ligjit të vitit 2003.

Përveç kësaj, çdo i anketuar kërkoi shqyrtim gjyqësor të urdhrave të ekstradimit të Sekretarit të Brendshëm. Gjykata e Lartë pranoi si apelimet ashtu si edhe kërkesat për shqyrtim gjyqësor bazuar në mospërputhjen midis kërkesave për ekstradim dhe ekstradimit të urdhëruar më vonë.

Kështu që urdhrat e ekstradimit u rrëzuan. Por Shqipëria dhe Ministri i Brendshëm nuk ‘qëndruan duarkryq’. Ata apeluan vendimin në Gjykatën Supreme britanike. Pas shqyrtimit të kërkesës, ‘Supremja’ vendosi që ta regjistrojë atë dhe të nisë shqyrtimin e saj.