Ballina Kronika U arrestua dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës cakton masën e...

U arrestua dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë për Ylli Zallën

60
0

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, i arrestuar dy ditë më parë pranë banesës së tij në Fushë-Krujë.

49-vjeçari ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 në lidhje me hetimet për atentatin në Rinas. Në operacionin “Fundi i Arratisë” për prangosjen e 49-vjeçarit të shumëkërkuar, që i kishte shpëtuar disa herë policisë, u përfshinë edhe forcat RENEA, strukturat e Posaçme Operacionale, Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës.

Sipas policisë, Zalla u gjet i fshehur në disa ferra, i armatosur me kallashnikov dhe tre krehra. Pas rrethimit nga RENEA, ai iu bind thirrjeve të policisë, u shtri në tokë dhe nuk bëri rezistencë.

Arrestimi erdhi një ditë pasi në banesën e tij shpërtheu një sasi tritoli, ndërsa makina e tij tip “Benz” u shkrumbua. Për ngjarjen vijojnë hetimet, ndërsa autoritetet kanë ngritur edhe dyshime se shpërthimi mund të jetë inskenuar.

Pak orë para arrestimit, Zalla ishte shfaqur në një video në rrjetet sociale, duke mohuar përfshirjen në vendosjen e eksplozivit.

Ai do të përballet me drejtësinë për akuzat që lidhen me atentatin në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ndërsa hetimet për shpërthimin në banesë vijojnë.