Ballina Rajoni Tragjedi ajrore në Kroaci, rrëzohet një aeroplan i vogël pranë Zadarit! Dy...

Tragjedi ajrore në Kroaci, rrëzohet një aeroplan i vogël pranë Zadarit! Dy persona humbin jetën

61
0

Dy persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël me dy vende u rrëzua të premten pasdite në Parkun Kombëtar Paklenica, pranë qytetit të Zadarit në Kroaci.

Alarmi u dha pak pas orës 16:00, sipas orës lokale, pasi avioni, i cili ishte nisur nga Republika Çeke, humbi kontaktin.

Menjëherë pas alarmit nisi një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi në zonën malore. Pas disa orësh kërkime, ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e aeroplanit në Parkun Kombëtar Paklenica, rreth 60 kilometra në verilindje të Zadarit.

Rreth orës 22:00, forcat policore përfunduan operacionin në vendin e rrëzimit dhe konfirmuan se dy personat që ndodheshin në bord kishin humbur jetën.

Policia kroate nuk ka bërë ende publike identitetin e viktimave.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta që çuan në rrëzimin e aeroplanit.