Qeveria e Danimarkës do të kompensojë 13 persona që kanë qenë viktima të abuzimit gjatë kohës që jetonin në një shtëpi kujdesi për të rinjtë, njoftoi të hënën Ministria e Çështjeve Sociale.
Personat, identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike, ngritën në mars një padi ndaj shtetit për abuzimet e pësuara në institucionin Solgarden, ku përfshihej edhe abuzimi seksual.
Secili prej tyre do të marrë një kompensim prej 300 mijë koronash daneze.
Sipas Ministrisë së Çështjeve Sociale, dëshmitë personale dhe dokumentet e mbledhura për periudhën 1949-1976 kanë evidentuar dështime serioze dhe sistematike gjatë qëndrimit të 13 ish-banorëve në institucion, i cili ishte nën mbikëqyrjen e shtetit.
Autoritetet daneze kanë pranuar se ka pasur “dështime të gjera dhe sistematike” dhe se shteti nuk e ka përmbushur detyrimin e tij për mbikëqyrjen e institucionit.
Një prej ish-banoreve, Tove Dohn Lauridsen, kishte rrëfyer në vitin 2024 për mediat daneze se, kur ishte vetëm tetë vjeç, ajo dhe motra e saj ishin abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga drejtuesi i shtëpisë së kujdesit.Institucioni Solgarden drejtohej nga Misioni Luteran, i cili në vitin 2024 u kërkoi falje të gjithë ish-banorëve për abuzimet e ndodhura.







