Ballina Aktualitet Kush është Ergys Agasi, biznesmeni i dosjes së AKSHI-t që shëtiste prej...

Kush është Ergys Agasi, biznesmeni i dosjes së AKSHI-t që shëtiste prej 8 muajsh “në kërkim”, me certifikatën e “mirënjohjes” së babait që Edi Rama e shiti para shtatorit

71
0

Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë.

Ergys Agasi është biznesmeni nga Durrësi, emri i të cilit u vendos në qendër të një prej dosjeve më të mëdha të SPAK për tenderat publikë, atë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Agasi njihet si sipërmarrës me aktivitet në disa fusha, përfshirë logjistikën, ndërtimin, tregtinë dhe sektorë të lidhur me shërbimet. Ai është djali i Bardhyl Agasit, ish-deputet i Partisë Socialiste, ndërsa në debatin publik emri i tij është përmendur shpesh si një figurë me ndikim në Durrës dhe me lidhje të forta politike.

SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij më 16 dhjetor 2025, në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderave të AKSHI-t. Që prej asaj date, Agasi rezultonte në kërkim. Nëse arrestimi i raportuar këtë 26 gusht 2026 konfirmohet zyrtarisht, ai ka qenë në kërkim për rreth 8 muaj e 10 ditë.

Sipas raportimeve të publikuara në dhjetor, SPAK e akuzon Agasin për përfshirje në një skemë të dyshuar kriminale që lidhej me manipulimin e tenderave të AKSHI-t. Bashkë me biznesmenin Ermal Beqiri, ai dyshohet se kishte rol kyç në një grup të strukturuar kriminal që ndikonte në procedurat e prokurimit publik, duke favorizuar kompani të lidhura me ta.

Akuzat e raportuara ndaj tij përfshijnë “konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “heqje të paligjshme të lirisë”, sipas raportimeve për deklarimet e avokatit të tij dhe dosjen e SPAK-ut.

Një nga episodet më të rënda të dosjes lidhet me dyshimet për rrëmbimin dhe kërcënimin e biznesmenit Gerond Meçe, i cili kishte bërë ankesa për procedura tenderimi. Sipas raportimeve, Meçe dyshohet se është marrë peng dhe është detyruar të tërheqë ankesat, në funksion të kontrollit të garës për tenderat e AKSHI-t.

Në prill 2026, SPAK sekuestroi pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro në kuadër të këtij hetimi, ku përfshiheshin pasuri të lidhura me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasin, Ermal Beqirin dhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit.

Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga hetimet më të ndjeshme të SPAK, jo vetëm për shkak të shumave të mëdha të tenderave, por edhe sepse prek një institucion kyç të shtetit shqiptar, i cili administron sistemet dixhitale, shërbimet online dhe të dhëna sensitive të qytetarëve.

Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.

Ermal Beqiri u arrestua pak kohë më parë në Francë, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.

Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj u vendos nën masën e “arrestit shtëpisë”, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në ‘detyrim paraqitje’ për shkak të shtatzënisë.

Agasi dhe Beqiraj, akuzohen gjithashtu se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.

Biznesmenit Ergys Agasi iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.

Vetëm në Tiranë i janë sekuestruar 7 pasuri të llojit pyll dhe ndërtesave 1 dhe 2 katëshe në zonën e Petrelës, një pasuri e llojit truall në Lundër, si dhe 6 partamente dhe 7 garazhe.

Ergys Agasit i janë sekuestruar gjithashtu edhe disa pasuri në Durrës, mes të cilave sipërfaqe truall, një ndërtesë dhe një apartament.

Po ashtu, atij i janë sekuestruar edhe një tjetër truall dhe ndërtesë në bregdetin e Vlorës, në Gjilekë, një automjet Land Rover Defender 2023 si dhe tre llogari bankare. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e “Equos Resort”.