Ballina Kosovë Departamenti amerikan i Shtetit me këshillë të re: Rishikoni udhëtimin në veriun...

Departamenti amerikan i Shtetit me këshillë të re: Rishikoni udhëtimin në veriun e Kosovës

56
0

Departamenti amerikan i Shtetit ka përditësuar më 25 gusht këshillën për udhëtime në Kosovë, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të ushtrojnë kujdes të shtuar sidomos në pjesë veriore të Kosovës.

Kosova është në nivelin 2 – “Ushtro kujdes të shtuar”, ndërsa për pjesën veriore të vendit këshilla është ngritur në nivelin 3 të rrezikut– “Rishikoni udhëtimin”. (1 = ushtro kujdes normal, 2 = kujdes i shtuar, 3 = rishiko udhëtimin, 4 = mos udhëto).

Në këshillën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se tensionet e lidhura me situatën politike mund të zhvillohen shpejtë dhe mund të shkaktojnë ndërprerje të transportit dhe shërbimeve të tjera thelbësore.

SHBA-ja paralajmëron gjithashtu për rrezikun nga dhuna, përfshirë sulmet terroriste dhe aktivitete të tjera të lidhura me terrorizmin në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.

Veriu i Kosovës në nivelin 3

Departamenti amerikan i Shtetit u rekomandon qytetarëve amerikanë të rishqyrtojnë udhëtimin në veriun e Kosovës, konkretisht në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, për shkak të rrezikut nga trazirat.

Sipas këshillës, tensionet etnike në këto zona paraqesin potencial për trazira të dhunshme civile.

Po ashtu, demonstratat mund të zhvillohen pa paralajmërim dhe të ndikojnë në qarkullim dhe shërbime të tjera.

SHBA-ja thekson se qeveria amerikane ka mundësi të kufizuara për të ofruar shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në veri të Kosovës.

Për këtë arsye, udhëtimi i punonjësve të qeverisë amerikane në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan është i kufizuar.

Për qytetarët amerikanë që vendosin të udhëtojnë në Kosovë, Departamenti i Shtetit rekomandon regjistrimin në programin Smart Traveler Enrollment Program (STEP), shmangien e protestave dhe turmave, si dhe përgatitjen e një plani emergjent për largim që nuk varet nga ndihma e qeverisë amerikane.

Në këshillë u bëhet thirrje udhëtarëve që të përcjellin mediat lokale për zhvillimet e fundit dhe të jenë të gatshëm t’i përshtatin planet e tyre të udhëtimit.

Këshilla e re është publikuar më 25 gusht 2026 dhe mban Kosovën në nivelin e dytë të rrezikut, ndërsa veriun në nivelin e tretë.