Ballina Aktualitet ‘Presim arrestimin e Ramës e Belindës’/ Protestuesit para SPAK: Nuk duam arrestime...

‘Presim arrestimin e Ramës e Belindës’/ Protestuesit para SPAK: Nuk duam arrestime për show, të ndiqet i gjithë zinxhiri

41
0

Qytetarët që prej ditësh protestojnë para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë vijuar të përcjellin mesazhet e tyre për drejtësi dhe hetime të plota. Një prej protestueseve tha për gazetarin e SYRI Fation Gjinaj se arrestimet nuk duhet të mbeten thjesht veprime të momentit, por duhet të shoqërohen me hetimin e plotë të rrjeteve dhe gjurmimin e parave.

“Ne nuk kërkojmë arrestime për show. Kërkojmë drejtësi, konfiskim parash dhe që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse ky qëndrim lidhet edhe me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, protestuesja tha se hetimi duhet të shkojë përtej një individi dhe të zbardhë të gjithë zinxhirin.

U arrestua, por a do të ndiqet zinxhiri? Nuk është vetëm ai. Është një rrjet shumë i madh dhe drejtësia duhet të shkojë deri në fund”, deklaroi ajo.

Një tjetër protestues kërkoi nga SPAK që në muajt e ardhshëm të ketë veprime konkrete dhe jo vetëm hetime. Ai tha se qytetarët presin arrestime, konfiskim pasurish dhe rikthimin e aseteve tek shteti.

“Ne presim drejtësinë. Presim Belindën, presim Ramën, presim që të bëhet drejtësi për të gjithë shqiptarët. Nuk duam më vetëm hetime, duam veprime, urdhra arresti dhe konfiskim pasurish”, tha ai.

Protestuesi theksoi gjithashtu se drejtësia nuk duhet të funksionojë vetëm në periudha të caktuara, por gjatë gjithë vitit.

“Ligji nuk është sezonal. Duhet të jetë aktiv 24 orë, shtatë ditë në javë, 365 ditë të vitit”, u shpreh ai.

Protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë pranë SPAK, duke përdorur pankarta për të kërkuar hetime dhe transparencë për çështje të ndryshme që janë nën vëmendjen e organit të akuzës. Në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit, ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre grup i strukturuar kriminal, organizatë kriminale, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet të shtunën.