Një shtetas norvegjez i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia në zonën e Plepave në Durrës.
Në pranga ka rënë Sebastian Templet, 28 vjeç, i cili kërkohej nga autoritetet norvegjeze për krime kundër personit dhe qetësisë publike, ndërsa në Shqipëri rezulton i akuzuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Sipas të dhënave, autoritetet gjyqësore norvegjeze kishin lëshuar në prill 2026 një urdhër arresti ndaj Templet, për kanosje dhe prishje të qetësisë publike.
Ndërkohë, 28-vjeçari kishte probleme me drejtësinë edhe në Shqipëri. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në maj të këtij viti, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Pas lokalizimit, Templet u arrestua në zonën e Plepave në Durrës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, po vijon procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit drejt Norvegjisë.







