Ballina Kosovë “Forcat serbe kanë dashur me krijua realitet të ri” -218 xhami u...

“Forcat serbe kanë dashur me krijua realitet të ri” -218 xhami u shkatërruan gjatë luftës

57
0

“Janë djegur, janë shkatërruar, janë demoluar, janë granatuar”.

Të njejtin fat e pati edhe xhamia pranë Urës së Ibrit në Mitrovicë.

As gurët e themelit nuk dëshmojnë se dikur në këtë vend qëndronte një object fetarë.

E tëra u djeg gjatë 1999-ës nga forcat serbe.

Ramadan Shkodra nga Bashkësia Islame e Kosovës tregon se nga rreth 400 xhami sa kishte Kosova para luftës, më shumë se gjysma e tyre u dëmtuan në forma të ndryshme.

“Kanë qenë diku rreth 400 xhami para luftës, 218 janë të atakuara, janë të shkatërruara, të demoluar në forma të ndryshme, tu fillu prej këtu, selia e BIK-ut, xhamia e Llapit, shkojmë në Vushtrri, xhamia e Çarshisë dhe xhami të tjera”, tregon Shkodra.

Shkodra thotë se në disa raste, synimi nuk ishte vetëm shkatërrimi i objekteve, por edhe zhdukja e gjurmëve të tyre.

“Forcat serbe kanë dashur me kriju realitet të ri. Pasi i kanë minu objektet e trashëgimisë islame, i kanë shkatërru, i kanë nivelu trollin e tyre me eskavator, për të humbur çdo gjurmë dhe për të krijuar realitet të ri, për të ndërtuar kisha apo objekte të tjera”, thotë ai.

Përveç shkatërrimit, në disa xhami pati edhe përdhosje dhe mbishkrime me përmbajtje nacionaliste.

“Madje kemi edhe përdhosje të objekteve të kultit. Brenda hapësirave të xhamisë janë shkru grafite nacionaliste ose grafite të përkatësisë ortodokse, por edhe grafite të tjera anti-shqiptare, anti-NATO, anti-SHBA dhe anti-Evropë”, u shpreh Ramadani.

Shumica e xhamive të dëmtuara gjatë luftës janë restauruar.

Por jo edhe ajo pranë Urës së Ibrit.

Ndërkohë televizioni ka provuar që të marrë një përgjigje nga institute për mbrojtjen e monumentve por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.