Ballina Kulturë Gjon Mili, njeriu që fotografoi kohën

Gjon Mili, njeriu që fotografoi kohën

46
0

Çfarë mund të kenë të përbashkët Pablo Picasso, Billie Holiday, Charlie Parker, Martha Graham, Alfred Hitchcock, Humphrey Bogart dhe Tina Turner? Përveç faktit që i përkasin historisë së artit, muzikës dhe kinemasë së shekullit XX, të gjithë kanë kaluar përpara aparatit të një fotografi që sot meriton të njihet shumë më mirë edhe në vendin ku lindi: Gjon Mili.

Në studion e tij në New York, Gjon Mili kishte vendosur një tabelë ku shkruhej: ‘All the world’s a camera. Look pleasant, please.’ Ishte një lojë me vargun e famshëm të Shekspirit, ‘All the world’s a stage’, por në rastin e Milit fjalia kishte edhe një kuptim tjetër. Për të, kamera nuk ishte vetëm një mjet për të regjistruar atë që ndodhte përpara saj. Ajo mund të zbulonte edhe gjëra që syri i njeriut nuk arrinte t’i shihte: një trup në disa faza të lëvizjes, një gjest të ndarë në kohë, ritmin e një performance apo gjurmën e dritës që mbetet në hapësirë vetëm për një çast.

ImageGjon Mili lindi në Korçë në vitin 1904. Fëmijërinë dhe vitet e para të formimit i kaloi në Rumani, përpara se, në vitin 1923, të emigronte në Shtetet e Bashkuara. Atje nuk shkoi për t’u bërë artist, por për të studiuar inxhinieri elektrike. Në vitin 1927 u diplomua në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Njeriu që do të bëhej i njohur për disa prej imazheve më poetike të kohës, e ndërtoi fillimisht botën e tij përmes shkencës.

Pas MIT-it, Mili punoi si inxhinier kërkimor në fushën e ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku studionte dritën dhe mënyrën se si ajo mund të prodhohej, kontrollohej dhe përdorej për të krijuar imazhe më të mira. Eksperimentet e tij të vazhdueshme e çuan në zhvillimin e një llambe të re me filament tungsteni, shumë më të fuqishme se burimet e zakonshme të ndriçimit të kohës. Ishte një punë inxhinierike që, pa e ditur ende, po i vinte themelet asaj që do të bëhej më vonë gjuha e tij si fotograf. Mësoi ta shohë dhe ta përdorë dritën përpara se ta mësonte vetë fotografinë, të cilën e zotëroi krejtësisht në mënyrë autodidakte.

Në vitet 1930, shkenca dhe fotografia filluan të shkriheshin gjithnjë e më shumë në punën e tij. Takimi me Harold Edgerton, profesor në MIT dhe pionier i fotografisë me dritë stroboskopike, i hapi një derë të re, mundësinë për të kapur atë që syri i njeriut nuk mund ta shihte. Një trup që kërcen nuk ishte më një trup i vetëm në një çast të vetëm, në një fotografi mund të shfaqeshin fazat e njëpasnjëshme të lëvizjes; një sportist nuk ishte thjesht një figurë që godiste topin, por një seri gjestesh që bashkëjetonin në të njëjtin kuadër. Eksperimentet e tij tërhoqën vëmendjen e revistës LIFE, një ndër publikimet më të rëndësishme të fotogazetarisë amerikane të kohës. Puna që do ta lidhte përfundimisht emrin e tij me revistën ishte fotografimi i tenistit Bobby Riggs, me një shpejtësi prej 1/100.000 të sekondës, fotografia nuk tregonte më vetëm se çfarë kishte ndodhur, por si kishte ndodhur lëvizja brenda vetë çastit të fotografimit.

ImagePër rreth një dekadë, stroboskopia u bë laboratori i tij artistik. Fotografoi valltarë, aktorë, sportistë, muzikantë. Kishte një marrëdhënie të veçantë me artet performuese  sepse vetë ishte muzikant amator dhe luante oboe. Mili e kuptonte ritmin jo vetëm përmes syrit, por edhe përmes tingullit dhe kjo dëgjohet, në kuptimin figurativ, në fotografitë e tij të xhazit. Billie Holiday, Duke Ellington, Charlie Parker, Art Tatum, Count Basie, Mary Lou Williams dhe shumë të tjerë kaluan përpara aparatit të tij. Në këto fotografi, duart mbi tastierë, shkopinjtë e baterisë në ajër, trupi që përkulet drejt instrumentit apo fytyra e muzikantit në kulmin e interpretimit bëhen pjesë e së njëjtës kompozicion. Tingulli nuk mund të fotografohet, por Mili përpiqej t’i afrohej atij përmes ritmit të imazhit, një solo xhazi mund të shndërrohej kështu në një fotografi që dukej sikur kishte brenda saj muzikë. Fotografitë e xhazit të Gjon Milit janë të rëndësishme sepse dokumentojnë muzikantët e një epoke, por mbi të gjitha sepse përpiqen të dokumentojnë vetë energjinë e asaj muzike.

ImageKrijimet e Milit kishin hyrë tashmë në institucionet më të rëndësishme të artit amerikan. Në 1942, Museum of Modern Art në New York hapi ekspozitën Dancers in Movement, Photographs by Gjon Mili, me fotografi të realizuara gjatë viteve 1938–1941 që tregonin rezultatet e kërkimeve të tij mbi lëvizjen dhe dritën, dhe e vendosën Milin në qendër të një momenti të rëndësishëm të fotografisë moderne amerikane.

Fotografoi po ashtu artistë, aktorë dhe figura të kulturës amerikane në një kohë kur Amerika po ndryshonte me shpejtësi, Alfred Hitchcock, Tina Turner, Humphrey Bogart, por edhe figura të skenës, muzikës dhe kërcimit. Mund të kalonte nga një laborator në një teatër, nga një studio xhazi në një set filmi, nga një skenë në rrugët e qytetit. Edhe moda nuk ishte jashtë horizontit të tij. Rreth vitit 1946, realizoi për Saks Fifth Avenue një fotografi që ishte menduar si imazh reklame, por mjeshtëria e tij e bën atë të duket sot më shumë si një skenë kinematografike.

ImageNë 1949, në jug të Francës, Gjon Mili takoi Pablo Picasso-n. Me vete kishte fotografi të patinatorëve që lëviznin në errësirë me drita të vogla të vendosura në këpucë, lëvizje të shndërruara në gjurmë drite, si vizatime të krijuara në ajër. Ideja e tërhoqi menjëherë Picasso-n. Mili kishte kërkuar vetëm pesëmbëdhjetë minuta, por ato nuk mjaftuan, Picasso pranoi të vazhdonte, dhe takimi u shty në pesë seanca, gjatë të cilave të dy eksperimentuan me dritën, lëvizjen dhe vizatimin në hapësirë.

Studioja ishte krejtësisht e errët, asnjë dritë tjetër, asnjë zhurmë përveç hapave të Picasso-s dhe kërcitjes së diktafonit të kamerës. Picasso mori një burim të vogël drite dhe filloi të vizatonte në ajër, ndërsa Mili priste në errësirë, pa e ditur ende çfarë do të kapte deri sa ndriçimi i dritës të mbyllej. Kamera, me ekspozim të gjatë, regjistronte çdo lëvizje të dorës si një vijë të ndritshme. Kështu u shfaqën centaurë, dema, profile dhe figura të tjera, vizatime që nuk ekzistonin në hapësirë në mënyrën tradicionale, por vetëm në kohë. Sa kohë që drita lëvizte, vizatimi ishte aty; kur lëvizja përfundonte, ai zhdukej në errësirën nga kishte ardhur. Vetëm kamera mund ta ruante. Kështu lindën fotografitë e njohura si Picasso, Drawing with Light, ndoshta imazhet më të famshme të Gjon Milit, dhe në një farë mënyre, përmbledhja më e përsosur e gjithë kërkimit e punës së tij.

ImageMili vazhdoi të punonte për revistën LIFE për dekada, duke lëvizur nga njëri subjekt te tjetri dhe duke fotografuar botën kulturore të kohës së tij. Realizoi gjithashtu filma, ndër ta Jammin’ the Blues, dhe u afrua me botën e kinemasë dhe të artit eksperimental. Por pas rreth një dekade, stroboskopia filloi ta kufizonte. Edhe pse  e kishte çuar aq larg sa mundej nuk donte të përsëriste veten. Nuk u bë kurrë rob i teknikës që e kishte bërë të famshëm, vazhdoi të fotografonte edhe pa të.

Gjon Mili vdiq në vitin 1984, por fotografia e tij vazhdon të jetojë në faqet e LIFE, në muzetë amerikane apo në historinë e një mediumi që ai kishte ndihmuar ta ndryshonte. Sot, më shumë se tetë dekada pas ekspozitës së tij në MoMA dhe më shumë se një shekull nga lindja e tij në Korçë, puna e artistit rikthehet në Shqipëri në një formë që e bën këtë takim veçanërisht të rëndësishëm dhe kjo peshë shkon përtej nostalgjisë.

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’, në Shkodër, për herë të parë publiku shqiptar ka mundësinë të shohë një përzgjedhje origjinale të veprës së tij, së bashku me materiale arkivore nga Howard Greenberg Gallery. Retrospektiva, e kuruar nga Howard Greenberg, sjell fotografi që tregojnë jo vetëm figurat e famshme që Mili fotografoi, por edhe procesin, eksperimentin dhe botën vizuale që ndërtoi gjatë dekadave. Janë printe origjinale, 95 vepra të ardhura nga New Yorku që tregojnë jo vetëm fotografitë, por edhe historinë pas tyre.

Image

Këto detaje e bëjnë ekspozitën më shumë se një përmbledhje fotografish të famshme. Tregojnë botën ku jetoi dhe punoi Mili, njerëzit me të cilët u lidh, dhe vendin që zuri në kulturën vizuale të shekullit XX. Gjon Mili lindi në Shqipëri, por e ndërtoi karrierën larg vendlindjes. U bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, punoi për LIFE, ekspozoi në MoMA dhe fotografoi disa prej figurave më të njohura të kulturës botërore.

Gjon Mili fotografoi atë që ndodhte në kohë. Tetëdhjetë vjet më vonë, puna e tij është rikthyer në vendin ku gjithçka nisi. ‘Gjon Mili: Retrospektivë’ qëndron e hapur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi deri më 13 shtator 2026. Kjo është ekspozita e parë në Shqipëri që sjell një përzgjedhje origjinale fotografish dhe materialesh arkivore të Milit./Thelb