Urdhri i Erion Veliajt për t’i hequr Anuela Ristanit kompetencat e kryetarit ka krijuar çoroditje në Bashkinë e Tiranës, ku vendime të rëndësishme kërkojnë firmën e titullarit.
Deri në orën 14:00 të së hënës, sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, nuk ishin firmosur ende as pagat e punonjësve të bashkisë dhe institucioneve në varësi, duke krijuar ankth në administratë. Po ashtu, pa firmën e kryetarit mbeten edhe vendimet që lidhen me ndihmën ekonomike, një nga pagesat më të ndjeshme për familjet në nevojë, pasi procedura kërkon vendimmarrje dhe ekzekutim me firmën e titullarit.
Por ky ngërç nuk mund të shitet si provë se Bashkia e Tiranës nuk drejtohet dot me Erion Veliajn në burg. Nëse Veliaj ka zgjedhur të mos ia delegojë kompetencat askujt tjetër, zgjidhja është e thjeshtë: dokumentet që kërkojnë firmën e kryetarit mund t’i dërgohen në paraburgim dhe ai t’i firmosë vetë.
Me fjalë të tjera, problemi nuk është se nuk ka rrugë institucionale për të vijuar punën. Problemi është politik: Veliaj nuk i beson më stafit që vetë ka ngritur rreth vetes dhe, në vend që të delegojë kompetencat te një tjetër zyrtar, ka zgjedhur t’i mbajë në dorë edhe nga qelia.
Kështu, pagat, ndihma ekonomike, vendimet emergjente dhe shërbimet publike nuk duhet të kthehen në dekor për të ndërtuar narrativën se kryeqyteti është i paralizuar sepse kryetari ndodhet në paraburgim. Nëse firma është e vetmja pengesë, ajo firmë mund të merret. Me dosje në makinë, me rrugë drejt Durrësit dhe me përgjegjësi të plotë politike nga ai që vendosi të mos delegojë më askënd.







