Ballina Politika ‘Mos e përdorni Martinin si alibi’, Tabaku për kamerat inteligjente në shkolla:...

‘Mos e përdorni Martinin si alibi’, Tabaku për kamerat inteligjente në shkolla: Projekti i qeverisë pa tender e transparencë, vendimmarrja u takon prindërve

54
0

Argumenti se vendosja e kamerave inteligjente në 20 shkolla në Tiranë pas vrasjes së 15-vjeçarit Martin Cani është alibi për një vendimmarrje korruptive të qeverisë, pretendon Jorida Tabaku.

Sipas postimit të deputetes së PD, qeveria po tregohet cinike kur as nuk e ndihmoi familjen Cani, ndërsa tani përdor dhimbjen e saj për “të mbuluar zullumet e veta.” Sipas saj, projekti është realizuar pa tenderë, pa transparencë dhe me nënkontraktorë të dyshimtë.

Tabaku thotë se s’mund të jetë qeveria, por prindërit ata që vendosin nëse i duan kamerat edhe brenda ambienteve shkollore.

Deklarata e plotë:

“Të përdorësh një tragjedi për të justifikuar një vendimmarrje korruptive është një tragjedi e një lloji tjetër.

Prej disa kohësh, Kryeministri po përdor tragjedinë e Martin Canit si alibi për projektin “Smart City”.

Po përdor dhimbjen e një familjeje, së cilës qeveria nuk pati guximin as t’i trokiste një herë të vetme në derë. Të njëjtës familje i mbyllen veshët kur kërkon një përkujtimore për djalin e saj, vetëm sepse ka qëndruar me dinjitet dhe ka kërkuar drejtësi, jo kompromis.

Ky cinizëm duhet të marrë fund, aq më tepër kur shërben si mburojë për të fshehur korrupsionin.

Tragjedia dhe dhimbja e familjes nuk mund të përdoren për të justifikuar një projekt që sot kushton më shumë se dyfishi i vlerës reale, që realizohet pa tender e pa transparencë dhe përfshin nënkontraktorë të dyshimtë.

Tragjedia e Martinit nuk mund të shndërrohet në alibi. As cinizmi i Kryeministrit nuk mund të përdoret si justifikim për vendosjen e kamerave brenda shkollave.

Janë prindërit, përmes përfaqësimit të tyre real në bordet e shkollave, ata që duhet të vendosin nëse duan kamera brenda mjediseve shkollore dhe jo nga bordet e korrupsionit të qeverisë.

Fëmijët shqiptarë duhen mbrojtur si nga tragjedi të tilla, ashtu edhe nga cinizmi i një qeverie që kërkon të përdorë edhe dhimbjen për të mbuluar zullumet e veta.

Politika duhet të ketë një kufi.

Lëreni të qetë Martinin dhe familjen e tij! Mos përdorni emrin dhe dhimbjen e tyre si mbulesë për zullumet tuaja!”, thotë Tabaku.