Ballina Opinion Pse ndërtimi është kthyer në një sektor të rrezikshëm për ekonominë?!

Pse ndërtimi është kthyer në një sektor të rrezikshëm për ekonominë?!

108
0

Nga Irena Beqiraj

Aktiviteti i ndërtimit bëhet i rrezikshëm për një ekonomi kur:

1) pjesa që ai zë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) kalon pragun prej 10%, ose

2) kur rritja e sektorit tejkalon rritjen e përgjithshme ekonomike me më shumë se 2 deri në 3 pikë përqindjeje, ndërkohë që vërehet një bum kreditimi për pasuri të paluajtshme/ndërtim + rritje të çmimeve të pronave.

Kur investimet në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme zënë më shumë se 10% të PBB-së, edhe sektori zgjerohet më shpejt se ekonomia në tërësi kjo tregon një çekuilibër strukturor në ekonomi.

Përveçse ndërtimi nuk ka potencialin e rritjes që mund të ofrojnë shumë sektorë të tjerë, ku do të veçoja industrinë, më shumë investime në ndërtim jo vetëm largojnë burimet nga aktivitetet më produktive duke e bërë ekonominë edhe më joproduktive , por ndikimi i tij në sektorin financiar shtrihet në afat më të gjatë.

Pra efektet ndihen edhe kur ritmet e zgjerimit të sektorit të ngadalësohen.

Të dhënat për Shqipërinë japin prova të forta se ndërtimi është tanimë një rrezik për ekonominë .

-Pragu prej 10% është tejkaluar që në vitin 2022!

Pjesa e ndërtimit u rrit nga 9.5% e PBB-së që ishte në vitin 2021 në rreth 11.2% në vitin 2022 duke arritur 12.6% të PBB-së në 2025 . Ky nivel padyshim që tregon një ndryshim strukturor mjaft i qartë.

Ndërsa në vitin 2021 ndërtimi ishte ende nën 10% të PBB-së, kriteri i dytë i rritjes relative njohu një tejkalim të fortë ai u rrit afërsisht 9 pikë përqindjeje më shpejt se PBB-ja . Ky ishte një tejkalim jashtëzakonisht i fortë i rritjes së sektorit të ndërtimit relativisht me ekonominë .

Në vitin 2022 sektori i ndërtimit e tejkaloi pragun 10% të PBB-së. Ndërsa rritja e ndërtimit ishte 10.7% , krahasuar me rritjen e PBB-së prej afërsisht 4.8% – një prim prej rreth 5.9 pikësh përqindjeje sërisht më i lartë se pragu relativ 3 pikë përqindjeje.

Në vitin 2023 ndërtimi zinte 11.65% të PBB ndërkohë që ende rritej me rreth 6 pikë përqindjeje më shpejt se PBB-ja.

Ndërsa, në vitin 2024 -2025 ndërtimi vazhdon të zërë mbi 10% të PBB-së por rritja e tij në krahasim me rritjen ekonomike normalizohet duke qënë vetëm 0.5% më I lartë.

Image

Megjithatë, në formulimin e e kushteve të mësipërme ka një përcaktim të rëndësishëm: “gjatë një bumi kreditimi për ndërtime + rritje të çmimit të pronave ”

Në vitin 2022 , kreditimi për ndërtime të reja arriti në 22.7 miliardë lekë vetëm në shtatë muajt e parë , duke shënuar një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Portofoli i papaguar i kredisë për ndërtim arriti në 70.4 miliardë lekë , pothuajse 30% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, vlera e lejeve të ndërtimit u rrit me 54% në gjysmën e parë të vitit 2022 dhe çmimet e pronave po rriteshin me afërsisht 9% në vit.

Në vitin 2023 , bankat ofruan afërsisht 39.6 miliardë lekë në kredi për ndërtime të reja, rreth 6.7% më shumë se në vitin 2022. Ndërtimi ishte përfituesi i dytë më i madh i kredisë së re për bizneset, duke përbërë rreth 18.2% të totalit.

Më pas, në vitin 2024 , kreditimi për ndërtime të reja u rrit në 48.6 miliardë lekë, një rritje tjetër prej 22.7% , ndërsa portofoli i papaguar i ndërtimit arriti në 77.9 miliardë lekë , me rreth 7% rritje .

Në vitin 2025, kredia për sektorin privat po zgjerohej me afërsisht 16% në gjysmën e parë të vitit , duke e çuar raportin e kredisë ndaj PBB-së për sektorin privat në 32.7%.

 

Image

Pra, kemi një dallim të rëndësishëm:

2021–2023: vërehet një rritje e shpejtë e sektorit të ndërtimit + rritje e shpejtë e çmimeve të pronave + përshpejtim i kreditimit të pasurive të paluajtshme/ndërtimit, ndërsa në vitet 2024–2025: rritja e sektorit ngadalësohet por kreditimi i pasurive të paluajtshme vazhdoi të zgjerohej me shpejtësi sikurse edhe çmimet njohën vetëm rritje.

Kjo është një shenjë paralajmëruese që edhe pse rritja e sektorit të ndërtimit është normalizuar edhe është bërë e krahasueshme me rritjen ekonomike , kreditimi i pasurive të paluajtshme dhe çmimet e pronave kanë vazhduar të rriten.

Pra, historia duket se po kalon nga një bum i prodhimit të ndërtimit në një rrezik më të gjerë të financimit të pasurive të paluajtshme .

Edhe vet Banka e Shqipërisë, me gjuhën e saj të sofistikuar që të mos shqetësojë qeverinë , e ka konsideruar këtë situatë si mjaftueshëm të rrezikshme ndaj në 2025 prezantoi kufizime të reja makroprudenciale për kreditimin e pasurive të paluajtshme .

E pra të dhënat na paralajmërojnë që nuk mund të vazhdojmë të luajmë me zjarrin . Indeksi i mbi nxehjes së sektorit megjithëse pësojë një ulje nga 6 në 4 në vitin 2024, u rrit sërisht në 5 në vitin 2025, gjë që tregon se ftohja edhe normalizimi i sektorit ndërtimit në ekonomi nuk është kaq i thjeshtë , për shkak të ndërlidhjes së fuqishme me sektorin financiar.

Ndërkohë që është një sektor që nuk mund të mbështesë në afat të gjatë rritjen ekonomike. Kush harton politikat ekonomike të këtij vendi duhet ti vendos gishtin kokës , nëse e ka akoma një kokë mbi shpatulla.