Nga Hurdhë Muhurri te Muhurr.com: Kronika e një rrugëtimi që sfidoi kohërat
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
“Jetoj si rrogtar,” thotë ai me thjeshtësi, “por ndihma për njerëzit në nevojë nuk është zgjedhje, është detyrë.” Kjo ndershmëri njerëzore nuk lindi në zyrat e Amerikës; ajo e ka origjinën te ajo derë e shtëpisë në Mest që nuk u mbyll kurrë për asnjë udhëtar, te tradita e atyre njerëzve të malit që dinë t’i ndajnë gjërat me të tjerët edhe kur kanë pak….
Ka njerëz që e gjejnë rrugën në jetë, dhe ka prej atyre që detyrohen ta hapin vetë, sa herë që themelet e botës rreth tyre shemben për t’u ngritur sërish nga hiri. Agim Deva i përket kësaj race të dytë. Gazetar, botues, arkitekt i faqeve web, bankier, këshillues financiar dhe sot – ideator e kurator i muhurr.com – biografia e tij nuk njeh vija të drejta. Është një labirinth kthesash të dhunshme që historia u’a imponoi shqiptarëve, të cilat ai i ktheu me kokëfortësi prej krijuesi në porta të reja shpëtimi. Nuk është thjesht një karrierë; është kronika e një njeriu që refuzoi të përkulej përballë izolimit.
Gjithçka e ka fillesën e saj në një shkollë të humbur mali, në Hurdhë Muhurr. Atje, në agimet e ftohta, vogëlushi Agim dëgjonte zhurmën e hapave që çanin mjegullën mbi shpatet e kodrave, duke njoftuar se nxënësit e Hurdhë Muhurrit, Shqathit e Bulaçit nxitonin drejt bankave të vjetra prej druri. Ishin fëmijë që zbrisnin edhe nga Mesti, lagjja e varur si fole zogjsh në rrëzë të malit, ku ngrihej vatra e familjes Deva. Në atë shkollë të humbur ishin edhe mësuesit, heronjtë e heshtur, burra e gra që sfidonin kilometrat, baltën dhe dëborën e acartë vetëm për t’u dhënë fëmijëve të malësisë një armë që regjimi s’mund t’ua grabiste dot: bindjen e hekurt se edhe një djalë nga kjo “ngrehinë” guri mund të pushtonte majat e botës. Ishte shkëndija e parë që do t’i vinte flakën një destinacioni të tërë.

Pas krahëve të këtij rrugëtimi qëndron hija e fortë e nënës, Xhiles, e cila mbeti e vetme për të mbajtur shtëpinë pas ikjes së parakohshme të babait, Xhemal Devës – një burrë emri i të cilit evokohej mes fshatarëve si sinonim i urtësisë dhe besës. Brenda mureve të shtëpisë prej guri gëlqeror në Mest, ku dera nuk u mbyll kurrë, Agimi u brumos me parimet e një bote që dukej se po shuhej: ndershmërinë absolute, dinjitetin dhe bujarinë pa kushte për çdo udhëtar të rastit. Atje, mes atyre gurëve, ai pa për herë të parë dritën elektrike kur ishte vetëm tre vjeç; atje preku radion e parë, një dhuratë e dajës Ramadan Duka – një mësues veteran dhe gjithashtu një veteran i Luftës së Dytë Botërore, që vlerësonte informimin, dijen dhe lirinë sa askush tjetër – dhuratë që u shndërrua në dritaren e vetme nga ku një fëmijë i izoluar mund të merrte frymë në hapësirat e pafundme të botës së jashtme. Në një shtet ku çdo fjalë e shtypur apo e transmetuar kalonte nën syrin e censurës, ku dëgjimi i radiove të huaja ishte i rrezikshëm e shpesh i ndëshkueshëm, ai aparat i vogël bëhej – fshehurazi, natën, me zë të ulët – porta drejt zërave që regjimi kërkonte t’i mbante larg: Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera perëndimore që flisnin shqip. Ishte, ndoshta, pa e ditur ende vetë, mësimi i parë i Agimit mbi vlerën e informacionit të lirë – një vlerë që, dekada më vonë, do të bëhej vetë busulla e punës së tij si publicist a botues.
Udhëkryqet e kohës: Nga bankat e Durrësit te pasioni për fjalën e lirë
Në moshën e djalërisë, Agimi la pas jo vetëm gurët e Hurdhë Muhurrit, por edhe gjithë atë peizazh që e kishte formuar shpirtërisht – lumin Drin që gjarpëronte poshtë luginës, mespërmes Muhurrit piktoresk, brigjet ku kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë, hijen e Runjës mbi krye. Ishte, në një farë mënyre, ndarja nga dashuria e tij e parë, por një ndarje e pranuar me vullnet, për një kauzë më të madhe: të mësonte, të zbulonte, të rritej, të bëhej ai që është sot. U nis drejt Durrësit, ku u ul në bankat e Shkollës së Mesme Mekanike dhe u strehua në fjetoret e konviktit – larg, për herë të parë, nënës, vëllait dhe metrës, larg edhe ujit të ftohtë të Gjurrës që e kishte shijuar që në djep. Ishin vite të vështira materialisht, dhoma konvikti akull të ftohta në dimër dhe tmerr në verë, kushte të rënda, por që u shndërruan në vatrën e miqësive të forta dhe të formimit të tij – pika e parë ku djali i malit u përball vërtet me botën.
Ishte atje, mes zhurmës së pafund të konviktit dhe lojërave të bashkënxënësve, që u dallua diçka e veçantë te ky adoleshent: një shpirt ëndërrimtar dhe krijues, që nuk ndiqte kurrë turmën. Ndërsa shokët e tij vraponin e luanin nëpër oborr mes ndërrimeve të orëve, apo pas mësimit, Agimi shpesh gjendej i ulur në një qoshe, i heshtur, vetëm, me një fletore në gjunjë, duke shkruar vargje. Në ato çaste, ai krijonte botën e tij: universin e personazheve dhe të fjalëve që askush tjetër nuk e shihte. “Ndërsa të tjerët luanin,” kujton ai, “unë ndërtoja histori. Nuk ishte ikje nga bota kjo, ishte mënyra ime për ta kuptuar atë.” Ishte, në fakt, i njëjti djalë që mësuesit e nxirrnin përpara shkollës në Hurdhë Muhurr për të recituar vjershat e autorëve shqiptarë – vetëm që tani, larg shtëpisë, ai kishte filluar t’i shkruante vetë vargjet.
Kur mbaroi shkollën e mesme më 1984, sistemi i kohës – që nuk pyeste për rezultate, por për “biografinë” familjare – e ktheu për një vit në punë bujqësore në Muhurr. Vitin pasardhës, më 1985, e detyruan të hynte në një shkollë ushtarake kundër dëshirës së tij, por me këmbëngulje arriti të dilte prej saj.
Më 1986, ai hyri më në fund në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku u diplomua më 1990. Ishin vitet që zbuluan pasionin e tij më të madh: artin e të shkruarit. Për katër vjet me radhë, ai kontribuoi pareshtur në Studenti i Bujqësisë, duke udhëtuar anembanë Shqipërisë për të shkruar mbi jetën e të rinjve. Botoi gjithashtu në Ushtima e Maleve dhe Zëri i Rinisë, shkroi tregime e poezi, dhe redaktoi qindra shkrime të kolegëve studentë e profesorë. “Ishte sikur të kisha ndjekur dy universitete njëherësh,” kujton ai – ekonominë dhe artin e botimit.
Kur mbylli këtë kapitull dhe u kthye në Dibër, në vitin 1990, Agimi nuk kishte thjesht një shpresë të paqartë, por një ëndërr të kristalizuar: të ulej si redaktor i bujqësisë te Ushtima e Maleve, e njëjta gazetë rajonale që i kishte hapur dyert kur ishte adoleshent. Velo Cfarku, kryeredaktori i asaj kohe, e kishte mirëpritur këtë vizion. Ndërkohë, Fadil Meha – redaktori aktual i seksionit që po përgatitej për një detyrë tjetër – i hapi rrugën me entuziazëm, duke e mbështetur hap pas hapi dhe duke i dhënë besim për themelet e forta që do të hidhte në atë redaksi. Agimi kishte nisur tashmë bashkëpunimin, duke pritur vetëm vulën zyrtare.
Por në Shqipërinë e atyre viteve, ku çdo emërim, sado mikroskopik, filtrohej nga gijotina e partisë së vetme, asnjë premtim nuk ishte i shenjtë – madje as në vitin 1990, kur muret e diktaturës kishin filluar të çaheshin nga tërmetet e para të lirisë. Në vend të karriges në redaksinë që e meritonte, aparati i partisë lëshoi goditjen e radhës: dërgimin e dikujt tjetër. Agimi u përplas me realitetin e ftohtë, duke u katapultuar ekonomist te Kooperativa Bujqësore e Muhurrit, larg asaj pene që i digjte në xhep për të derdhur në letër idetë dhe eksperiencën e fitur në vitet e universitetit.
Sot, dekada më vonë, ai e kupton se ajo kthesë e dhunshme ishte njëkohësisht një mallkim që i prehu krahët dhe një bekim që e kaliti. Nuk do ta mësojë kurrë se ku do ta kishte çuar rruga tjetër, por kjo tashmë nuk ka asnjë vlerë. Ajo epokë është vetëm një hije në pasqyrën e kohës; e vërteta është se fatin tonë e gdhendim vetë.
Përtej tabuve: Kur Agim Deva krijonte një epokë të re
Fundi i vitit 1990 gjeti Shqipërinë në kolaps: protestat e para në Shkodër e më vonë, kërkesat studentore në Tiranë, mijëra shqiptarë që vërshuan drejt dyerve të ambasadave, dhe më në fund, në dhjetor 1990, rënia e sistemit njëpartiak. Agimi, njëzet e pesë vjeç, sapo kishte filluar punë si ekonomist në kooperativën bujqësore të Muhurrit – por e kuptoi shpejt se e ardhmja e tij nuk ishte atje. Ai la punën, la fshatin që e donte, dhe u zhvendos në Tiranë, drejt e në zemër të ndryshimeve të mëdha demokratike.
Në kryeqytet, ai filloi të bashkëpunonte me Progresi Agrar, një nga gazetat e para të pluralizmit. Por vizioni i tij shkonte më tej. Deri në fund të vitit 1991, pas një studimi të tregut mediatik, arriti në një përfundim të guximshëm: Shqipërisë i mungonte një gazetë e dedikuar edukimit seksual e familjar – një temë tabu, në një shoqëri ende të mbytur nga tabutë e regjimit të vjetër. Duke u konsultuar me mikun e tij, shkrimtarin Lazër Stani – një bashkëudhëtar i vjetër që i qëndroi pranë dhe e mbështeti me këshilla në atë fillim të shtypit të lirë – Agimi themeloi kompaninë “Rinia” dhe nisi botimin e gazetës EROS. Pa asnjë lek në xhep, ai bindi shtypshkronjën t’ia printonte numrin e parë falas, me kusht që t’i paguante pasi të shiteshin kopjet. Kështu, Agimi u rendit mes botuesve të parë privatë që i dhanë jetë shtypit të lirë shqiptar pas rënies së diktaturës – një pionier që rrezikoi në një treg krejtësisht të panjohur.
EROS u bë për mbi gjashtë vjet një nga gazetat më të shitura në vend – me kontribues autorë të njohur si Dritëro Agolli, Jorgo Bllaci e Lazër Stani, etj., etj. – dhe e bëri emrin e Agim Devës të lakohej deri në Gjermani, ku kanali televiziv ProSieben dërgoi një ekip për ta intervistuar. Botimi e ndau opinionin publik në dysh: për pjesën më të madhe të shoqërisë ishte simbol i hapjes dhe i modernizimit, ndërsa për konservatorët dhe nostalgjikët e regjimit përbënte skandal. Agimi e gjeti veten, fjalë për fjalë, duke botuar pikërisht në vijën e zjarrit të transformimit kulturor të Shqipërisë.
1997: Kur gjithçka u shemb, dhe Agimi u kthye te lapsi i redaktorit
Kriza e piramidave financiare, që përfshiu pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe e çoi vendin drejt kaosit e dhunës në vitin 1997, e mori me vete edhe EROS-in: kopjimet e paligjshme dhe plagjiatura e zbehën origjinalitetin e botimit, dhe Agimi vendosi ta mbyllte me dinjitet projektin që e kishte ngritur nga hiçi.
U kthye sërish te gazetaria “institucionale” – si redaktor Informacioni te Albania dhe më vonë zëvendëskryeredaktor te Bulevard. Në gazetarinë e postkomunizmit, ku presioni i politikës dhe klaneve ishte (dhe mbetet) i rëndë, Agimi spikati si një redaktor i mprehtë, kërkues dhe i rreptë. Ai nuk e pranoi kurrë idenë që një media të mbante anë, të bënte propagandë apo të fshihte të vërtetën; për të, në momentin që media kthehej në zëdhënëse partiake, ajo pushonte së funksionuari. Në një mjedis mediatik shpesh të përkulur nga interesat e ditës, Agimi qëndroi gjithmonë besnik ndaj parimeve, karakterit dhe ideve të tij. Ai u përpoq të ndryshonte gjërat nga brenda, por nuk pati kurrë frikë t’i kthente shpinën gjithçkaje dhe të largohej kur kuptonte se parimet e tij po kompromentoheshin.
Më 1998, ndërsa kishte tashmë një familje dhe dy djem për të rritur, bëri një kthesë praktike por vizionare drejt dizajnit grafik në Koha Jonë, gazeta më e madhe e kohës, duke hapur një kapitull të ri profesional që e vazhdoi më pas te Shekulli, deri në vitin 2004, kur la Shqipërinë.
Më 13 nëntor 2004, Agimi mbërriti në Minnesota (ShBA) së bashku me dy djemtë e tij – Erosin, 11 vjeç, dhe Klevisin, 7 vjeç. Gjatë fluturimit 10 orësh mbi Atlantik, sytë i kishin mbetur të lagur nga pesha e të panjohurës dhe pyetja e heshtur nëse po bënte zgjedhjen e duhur, derisa kthente kokën dhe shihte pranë dy djemtë e tij, të vetmen busull që i duhej për të kapërcyer çdo oqean. Përballja me realitetin e ri amerikan kërkoi durim dhe punë të palodhur, por Agimi iu vu menjëherë punës për të sprovuar veten në sistemin financiar amerikan – “për të parë nëse katër vitet e universitetit kishin vlejtur deri diku,” siç thotë me buzëqeshje ironike. Që nga viti 2006, ai u bë pjesë e sistemit financiar amerikan, ku ngjiti shkallët e karrierës nga pozicionet fillestare të bankierit te menaxhimi i shitjeve, deri në majën aktuale si këshillues për tregun e kapitaleve (Financial Advisor), i çertifikuar dhe licencuar nga rregullatori amerikan i letrave me vlerë dhe bursës.
Sot, me flokët e thinjura dhe vitet e përvojës mbi supe, Agimi mbetet po ai njeri i palëkundur, me të njëjtin integritet që e ka udhëhequr përgjatë gjithë jetës.
Muhurr.com: Kur gjithçka që Agimi ka qenë bashkohet në një projekt të vetëm
Nëse kërkon të kuptosh thelbin e Agim Devës sot, nuk e gjen te CV-ja e tij, por te muhurr.com – një strehë digjitale që ai e drejton jo thjesht si “themelues & kurator”, por shumë më tepër. Ky nuk është një portal fitimprurës, por një projekt shpirtëror i ngritur krejtësisht mbi baza vullnetare. Është pika e takimit ku gazetari, dizajneri grafik, botuesi i dikurshëm dhe biri i Muhurrit shkrihen në një zë të vetëm. Vetë faqja – arkitektura, estetika vizuale dhe ritmi i rrëfimit – është produkt i dekadave që Agimi shpenzoi duke ndërtuar media për të tjerët; tani, më në fund, e ka ngritur një të tillë për shtëpinë e tij dhe për historinë që nuk do ta lërë të shuhet.
Muhurr.com lindi nga një domosdoshmëri intime: fijeve që e mbanin të lidhur me vendlindjen po u kanosej këputja, siç ndodh me çdo bashkësi të shpërndarë nëpër botë. I gjendur përballë kësaj zbrazëtie, ai bëri atë që di më mirë – hapi një dritare botimi. Sot, kjo faqe jeton si një arkiv i gjallë i kujtesës kolektive, një ditar udhëtimesh dhe një skenë e hapur për zërat e bashkëfshatarëve, ndërkohë që kthehet në një avokat të zjarrtë të turizmit dhe agroturizmit të luginës së Drinit të Zi, një pasuri e jashtëzakonshme që ai e quan me të drejtë “miniera e artë” e Shqipërisë.
Në faqet e këtij portali, shkrimet e Agimit nuk ngjajnë me kronika të ftohta, por me meditime të gjata që nisen nga një detaj i vogël për të përqafuar gjithë peizazhin dhe kohën.
Kështu ndodhi kur një kafe e thjeshtë në Peshkopi, në tetor të vitit 2023, e shtyu drejt një sfide që do t’i kishte vënë fre edhe një të riu: ngjitjen në majën 2,047-metërshe të Runjës, atje ku dikur shkelte si adoleshent, në kërkim të Lule Zonjës. Përballë murit të lodhjes ekstreme, përgjigjja e tij ishte ajo e njohur prej kohësh: “Edhe i vdekur do të ngjitem në majë” – një frazë që përmbledh atë kokëfortësi prej burri malësie që e ka nxjerrë nga llogoret e shkollës ushtarake dhe e ka mbajtur në këmbë përgjatë gjithë sfidave të jetës.
Në rrëfimet e tij, edhe objektet më të zakonshme shndërrohen në dëshmitarë të historisë. Ura e vjetër e vitit 1936 mbi Drinin e Zi bëhet ura e shpirtit të çdo brezi që ka kaluar mbi të – fëmijë që niseshin për dije, gra të reja që ndërronin shtëpi, apo mërgimtarë të kthyer dekada më vonë me lot në sy – ndërsa Agimi e kthen nostalgjinë në një thirrje të fortë publike për shpëtimin e saj nga rrënimi.
Nga një fëmijëri e varfër ku shiste tufa lulesh të egra në tregun e Peshkopisë për të fituar ndonjë akullore, te burri që më vonë kërkoi dhe mbolli të njëjtën Lule Zonje në kopshtin e tij në Minnesota – vetëm për të kuptuar se pamja mund të kopjohet, por aroma e tokës së amshuar kurrë – lindi një mision i ri promovimi përmes muhurr.com: mbrojtja e ekosistemit dhe hapja e shtigjeve të reja drejt bjeshkëve të Runjës.
Ndoshta në faqen e tij, rrëfimi për shtëpinë e gurtë në Mest – vatrën ku jetoi i ati, Xhemal Deva, me derën që nuk mbyllej kurrë për asnjë udhëtar – mbetet shkrimi më i dhimbshëm dhe më i bukur. Kur një zjarr i rënë nga pakujdesia e disa fëmijëve e shkrumboi atë histori guri, dhe kur ëndrra e rindërtimit u pre në besë nga rrjedha e fatit, përgjigjja e Agimit gdhendi vetë filozofinë e këtij projekti: “Zjarri mund të djegë drurin… por ai është plotësisht i pafuqishëm të djegë kujtimet.”
Dhe kështu, përmes çdo rreshti, zhurma e largët e shkollës së Hurdhë Muhurrit, hapat e mësuesve që çanin dëborën dhe drita e parë e vendosur në atë shtëpi malësie lidhen pazgjidhshmërisht me rrugëtimin e tij të gjatë nëpër botë – për t’u kthyer përfundimisht atje ku nisi gjithçka: te rrënjët.
Përtej kohërave dhe stuhive: Fije që nuk u këput kurrë
Në çdo kthesë të këtij rrugëtimi – nga konvikti i acartë i Durrësit dhe llogoret e detyruara të ushtrisë, te guximi i shfrenuar i EROS-it në një Shqipëri që sapo kishte dalë nga errësira; nga hiri i kolapsit të 1997-ës dhe oqeanët e kapërcyer drejt një kontinentit të ri, e deri te shkrumbimi i shtëpisë së gurit në Mest – një gjë ka mbetur e paprekur dhe e palëkundur tek Agim Deva: bërthama e tij morale.
Ai e ka mishëruar gazetarinë dhe botimin jo si mjet për të fituar favore, por si një hapësirë shenjtërore të së vërtetës. Për të, formula ka qenë gjithmonë e prerë me thikë: shtypi mund të mbajë ngjyra politike, por në çastin që kthehet në zëdhënëse propagande, ai vdes si gazetë. Kjo qasje prej njeriu parimor nuk ishte thjesht një qëndrim prej redaktori; ajo ka qenë vetë mënyra se si i ka bërë ballë jetës. Është e njëjta kokëfortësi që e bëri të refuzonte uniformën ushtarake që nuk e donte, dhe e njëjta forcë që e mbajti në këmbë në faqet e Runjës kur, përballë murit të lodhjes, i tha vetes: “Edhe i vdekur do të ngjitem në majë.”
Agimi është nga ata burra që nuk kanë mësuar kurrë të ulin kokën përpara presionit, qoftë ai politik, social apo i vetë fatit. Por në këtë strukturë prej njeriu të fortë, pulson një lloj bujarie që nuk kërkon kurrë shpërblim. “Jetoj si rrogtar,” thotë ai me thjeshtësi, “por ndihma për njerëzit në nevojë nuk është zgjedhje, është detyrë.” Kjo ndershmëri njerëzore nuk lindi në zyrat e Amerikës; ajo e ka origjinën te ajo derë e shtëpisë në Mest që nuk u mbyll kurrë për asnjë udhëtar, te tradita e atyre njerëzve të malit që dinë t’i ndajnë gjërat me të tjerët edhe kur kanë pak.
Kjo frymë e gjallë duket kudo: te viteve që kaloi në bordin e Langelfeldt Foundation, që mbështet veteranët dhe personat me aftësi të kufizuara në Minnesota; te vitet e tij në bordin e Balkanicus Institute for Balkan Art, Culture and History, deri më 2019; te pjesëmarrja e tij vjetore, bashkë me familjen, në Festival of Nacionaliteteve në Saint Paul, ku përfaqësojnë me krenari stendën shqiptare; te mbështetja e heshtur por e vazhdueshme për çështje të mëdha si Rruga e Arbërit; dhe mbi të gjitha, te muhurr.com – një vepër e ndërtuar jo për llogari bankare, por si një haraç dashurie dhe një detyrim moral ndaj tokës që e lindi.
Sot, me gjithë vitet mbi supe dhe horizontet e botës së madhe të shkelura, Agimi mbetet ai djalë i vogël që dëgjonte zhurmën e shpateve në Hurdhë Muhurr: një njeri që nuk bëri kurrë kompromis me shpirtin e tij të lirë.
Arkitekti i fjalës dhe i veprës: “Publiku meriton më të mirën”
Nuk ka qenë kurrë njeri që të presë duarkryq. Edhe pasi kaloi Atlantikun dhe u vendos në Minnesota, bota e Agim Devës ka qenë një lëvizje e pandalur: duke u zhytur te financat amerikane, duke dizajnuar faqet web, duke menaxhuar projekte, dhe mbi të gjitha, duke shkruar pa u ndalur. Përtej asaj që lexohet në sipërfaqe, pena e tij nuk është shuar kurrë; ajo është mbajtur vetëm larg prozhektorëve të bujës, e mbrojtur nga një filtër i hekurt vetëkritike.
Kur e pyesin pse pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij letrare ka mbetur private, përgjigjja e tij është e prerë, prej një njeriu që nuk bën lëshime ndaj mediokritetit: “Unë nuk kam ndalur kurrë së shkruari, ky është pasioni im, jeta ime. Jam thjesht i rezervuar sepse e konsideroj veten perfeksionist – nuk më pëlqen kurrë puna ime, jam shumë kritik ndaj krijimeve të mia. Filozofia ime në jetë ka qenë: nëse krijon diçka, ajo duhet, absolutisht, të jetë më e mirë, të vlejë, përndryshe mbaje për vete. Publiku duhet të shohë më të mirën. Publiku e meriton më të mirën.”
Kjo qasje e guximshme, ky standard i lartë që nuk pranon kompromise, shënon çdo gjë që ai prek sot. Është i njëjti perfeksionizëm që ka derdhur në ndërtimin e muhurr.com – ku çdo shkrim është shqyrtuar, rimenduar dhe pastruar me thikën e redaktorit deri në milimetrin e fundit, për t’i lënë vend vetëm asaj që vlen vërtet për t’u lexuar.
Ka, megjithatë, një vjershë që ka kaluar atë sitë kritike dhe ka marrë dritën jeshile për t’u ndarë me lexuesit – dhe nuk mund të ishte ndryshe se nga vinte: nga Muhurri, fshati ku lindi, ku u rrit, ku ëndrrat e para morën formë, dhe ku muza e tij gjeti burimin që s’e ka lënë kurrë. Vargjet që vijojnë janë vetë dëshmia e asaj dashurie të pashuar:
Porta e Parajsës
Në breg të Drinit, ku uji rrjedh me valë,
Ku heshtja e maleve flet me shpirtin mall,
Shtrihet fshati im, djepi i parë i jetës,
Ku ndjej aromën e tokës, shijen e së vërtetës.
Atje, mbi dërrasat e vjetra të urës,
Ku fryjnë erërat e mallit dhe të shpresës,
Nis çdo rrugëtim, çdo ëndërr e djalërisë,
Atje ishte dhe pragu i shenjtë i dashurisë.
Drini i Zi, “gjak” i kësaj toke arbërore,
Pëshpërit histori në çdo orë.
Lava fytyrën me ujin e tij të pastër,
Dhe më mbushi zemrën me zjarr muhurror.
Shtëpitë e gurit, oxhaqet me tym e erë,
Marrin jetë në çdo pranverë.
Aty ku hapat e parë në tokë i hodha,
Dhe nën hijen e Runjës ëndrrat i mbolla.
Tani që vitet mbi shpatulla rëndojnë,
Dhe flokët e thinjur historinë tregojnë,
Kur kthehem në Muhurr, te kjo tokë e bekuar,
Ndjej se shpirti im kurrë s’ka qenë i harruar.
O Muhurr, o vatër e zemrës sime,
Ku takohen djersa, malli e gëzimet,
Ti je shtëpia, portë e parajsës ku rritemi,
Te ty kthehemi, te ti përtëritemi.
Këto vargje nuk janë thjesht poezi; ato janë dëshmia e gjallë e secilit prej elementëve që përbëjnë jetën e Agim Devës. Uji i Drinit që pastron, dërrasat e urës që mbajnë historinë, hija e Runjës dhe oxhaqet e gurit janë po ato imazhe që ai i ka shndërruar në art, duke dëshmuar se pavarësisht sa larg e çojnë oqeanet, ai mbetet gjithmonë krijuesi i palodhur që nuk ndalet së kërkuari të vërtetën.
Një portret që vazhdon të shkruhet
Agim Deva është njeriu që botoi kur të tjerë heshtnin, që ndërroi drejtim kur jeta ia kërkonte, që kapërceu oqeanet për t’u dhënë djemve të tij një horizont tjetër, dhe që pa shtëpinë e fëmijërisë të bëhej hi pa lejuar kurrë që zjarri t’ia digjte shpirtin. Në çdo stuhi, ai i ka qëndruar besnik një linje të palëkundur: lirisë së pakompromis të fjalës, ndershmërisë absolute dhe një bujarie që nuk kërkon shpërblim. Edhe atje ku bota dukej e qetë, në Minnesota, ai nuk pushoi kurrë së bëri diçka për veten dhe për vendlindjen që e krijoi. Qoftë me penën, qoftë me dizajnin grafik e atë web, qoftë me një dhurim, një këshillë apo thjesht një orë kohë – kurdo që një mik apo bashkëfshatar e thërriste, Agimi ishte gati. I hapur, i pranishëm, pa e llogaritur kurrë se sa i kushtonte. Ndihma, dizajni, donacionet – të gjitha ishin, në fund, e njëjta gjë: mënyra e tij për të mos e lënë kurrë atë fill lidhjeje me vendlindjen të këputej.
Në vitet e pjekurisë, ai gjeti mënyrën për t’i lidhur të gjitha këto fije – dashurinë për rrënjët, respektin për të vërtetën dhe mallin e pashuar – te muhurr.com. Ky nuk është thjesht një arkiv digjital; është një besë e mbajtur për të mos lënë që historia e një vendi të kthehet në një hije të largët.
Në krye të kësaj faqeje, si një moto që përmbledh thelbin e gjithçkaje, qëndrojnë fjalët e tij: “Ecni përsëri në ato shtigje të vjetra dhe ngjituni në malin që mendonit se nuk mundeni. Pini ujë nga burimet e rinisë suaj.”







