Nga Thoma Gellçi
Kur kolonizatorët mbërritën në Amerikë, gjetën një mënyrë shumë praktike për të bërë tregti me banorët vendas. U tregonin pasqyra, rruaza, copa xhami me ngjyra dhe sende të tjera që shkëlqenin. Indianët shikonin për herë të parë fytyrën e tyre në një copë xhami, ndërsa kolonizatorët shikonin tokën, floririn dhe gjithçka tjetër që mund të merrej në këmbim.
Pas disa shekujsh, kjo metodë është rizbuluar në Shqipëri. Vetëm se tashmë nuk ka nevojë për anije, oqeane, ekspedita dhe kontinente të panjohura. Ka qytetarë, ka pushtet dhe ka pasqyrë.
Kështu lindi “Pasqyra Albania”.
Ideja ishte e thjeshtë dhe shumë e përshtatshme për administratën shqiptare. Qytetarit nuk ishte e nevojshme t’i zgjidhej problemi. Mjaftonte që problemi të pasqyrohej.
Në vend të legalizimit mund të merrte një pasqyrë. Në vend të pensionit më të lartë mund të shihte veten në të. Në vend të ujit 24 orë në shtëpi, do merrte kënaqësinë se halli i tij ishte regjistruar, fotografuar, analizuar, digjitalizuar dhe futur diku në sistem.
Në një fshat, një burrë që kishte njëzet vjet që priste legalizimin e shtëpisë u bë një nga përfituesit e parë të programit.
Toka vazhdonte të ishte pa letra, ujin për ujitje ia kishte marrë një hidrocentral që po ndërtohej aty pranë, por tani problemi i tij ishte pasqyruar. Ky ishte një përparim i rëndësishëm, sepse për njëzet vjet ai kishte pasur vetëm problemin, ndërsa tani kishte edhe pasqyrën.
Në një qytet tjetër, një pensioniste që ankohej se pensioni nuk i dilte deri në fund të muajit mori të njëjtin trajtim. Pensioni mbeti po aq, çmimet po ato, faturat madje pak më të larta, por tani shteti kishte një pamje të qartë të fytyrës së saj. Administrata mund të mos dinte si t’i rriste pensionin, por të paktën dinte saktësisht se si dukej pensionistja që nuk ia dilte me të.
Po kështu edhe në disa fshatra të tjerë që ujin ua kishin marrë ca pasanikë për të mbushur pishinat e tyre. Uji prapë nuk u erdhi nëpër shtëpia, prapë shkonte tek pishinat e vilave, por ama problemi u pasqyrua.
Programi filloi të përhapej me shpejtësi. Ministrat dolën në terren me pasqyra të mëdha, deputetët me pasqyra dore dhe kryetarët e bashkive me variante më të vogla, të përshtatshme për xhepin dhe për takimet me qytetarët.
Për hallet e mëdha u menduan pasqyra panoramike, ku qytetari mund të shihte njëkohësisht veten, problemin e vet dhe zyrtarin që do ta dëgjonte me shumë vëmendje pa qenë i detyruar ta zgjidhte.
Rezultatet nuk vonuan. Raportet treguan se numri i problemeve të pasqyruara ishte rritur ndjeshëm.
Regjistrimet e pronave nuk ishin shtuar dhe me zor të madh mund ta merrje në certifikatë pronësie, pensionet mund të mos ishin rritur, administrata mund të vazhdonte të kërkonte të njëjtat dokumente tri herë, por treguesi i pasqyrimit kishte arritur nivele historike.
Dikur, në Amerikë, kolonizatorët u jepnin banorëve vendas pasqyra dhe merrnin në këmbim floririn, tokën dhe, pak nga pak, vendin e tyre. Pasqyra kushtonte pak; ajo që merrej në këmbim vlente shumë.
“Pasqyra Albania” ka të njëjtën epërsi ekonomike. Pushtetit i kushton shumë më pak t’i regjistrojë qytetarit hallin sesa t’ia zgjidhë.
Dhe qytetari sheh veten, sheh problemin, sheh se problemi është regjistruar dhe pastaj kthehet në shtëpi me kënaqësinë se këtë herë të paktën është pasqyruar. Nuk është zgjidhur gjë, por ama është dëgjuar.
Në këmbim lë votën, taksat, durimin dhe katër vjet të tjera.
Kolonizatorët e Amerikës nuk u larguan pasi morën floririn.
Qëndruan, sepse kuptuan se kishte ende shumë për të marrë.
Edhe “Pasqyra Albania” nuk është bërë që pushteti të largohet. Është bërë që qytetari të vazhdojë të shohë veten, ndërsa pushteti vazhdon të marrë e të marrë çfarë ka mbetur akoma pa marrë!






