Ballina Aktualitet Ermal Beqiri fiton tender nga qelia në Francë, Jonaid Myzyri e “qeras”...

Ermal Beqiri fiton tender nga qelia në Francë, Jonaid Myzyri e “qeras” me paratë e AKSHI-t

74
0

Në çdo vend normal, arrestimi ndërkombëtar i një biznesmeni të akuzuar për zhvatjen e institucioneve publike do të mjaftonte që shteti të ngrinte alarmin dhe të kontrollonte çdo kontratë të lidhur me kompanitë e tij. Në Shqipëri ndodh e kundërta: Ermal Beqiri është në qeli në Francë, pret ekstradimin drejt Tiranës, ndërsa kompanitë e tij vazhdojnë të shpallen fituese në tenderat e shtetit shqiptar.

Ironia bëhet edhe më e rëndë kur tenderi i radhës lidhet me AKSHI-n, pikërisht agjencinë që sipas SPAK-ut u kthye në një nga burimet kryesore të përfitimeve të rrjetit të tij. Më 4 shtator, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Jonaid Myzyri, shpalli fituese kompanitë “NSolution” dhe “HORIZON” për shërbimin e internetit të AKSHI-t. Pra, njeriu që akuzohet se ka përfituar miliona nga sistemi i tenderave publikë, vazhdon të ushqehet nga i njëjti sistem edhe nga qelia franceze.

111.PNG2222.PNG

Dokumentet e tenderit tregojnë se si garat publike në Shqipëri janë kthyer në një dekor fiktiv, ku fituesi e ka emrin e shkruar që përpara se të hapen letrat. Për një shërbim thjesht rutinë si interneti, me fond limit 22.4 milionë lekë të vjetra, në garë u futën gjashtë kompani. Tre prej tyre dhanë çmime dukshëm më të lira se firmat e Beqirit, por në lojën e tenderave shqiptarë, çmimi më i mirë shpesh është thjesht një pengesë që duhet fshirë nga rruga.

Kompania “UNION” kërkoi vetëm 16.3 milionë lekë të vjetra, “ONE Albania” paraqiti ofertën prej 16.9 milionësh dhe “Abissnet” 17.1 milionë. E megjithatë, institucioni zgjodhi të shpallë fituese ofertën e kompanisë së biznesmenit në arrest, me një çmim prej më shumë se 19.5 milionë lekësh. Pse të kursehen 315 mijë lekë nga paratë e qytetarëve, kur mund t’i falen përsëri njeriut të rrethuar nga akuzat më të rënda të korrupsionit?

3333.PNG4444.PNG

E gjithë kjo histori bëhet akoma më groteske kur kujton se si Ermal Beqiri e ndërtoi “perandorinë” e tij të teknologjisë. Për hetuesit e SPAK-ut, ai ishte truri i një rrjeti kompleks firmash si “Soft & Solution”, “Horizon” apo “iTirana”, që përpiqeshin të mbulonin gjurmët pas pronarëve fiktivë për të kapur çdo tender për AKSHI-n që nxirrte shteti.

Skema ishte e thjeshtë, por efikase: letra të qepura me porosi dhe lidhje të ngushta zyrtare, që sipas SPAK-ut i sollën atij mbi 18 milionë euro vetëm në katër vitet e fundit. Por sot, ndërsa dosja e tij mban vulën e “grupit të strukturuar kriminal”, makineria e biznesit të tij në Tiranë duket se e ka gjetur formulën magjike për të punuar vetvetiu, pa pasur nevojë as për praninë e vetë pronarit.

Pasi SPAK lëshoi urdhër-kërkimin ndërkombëtar dhe ai u arratis nga vendi, fluturimi i tij drejt lirisë u ndërpre në qiellin francez nga një pakujdesi. Teksa pilotonte avionin e tij privat, Beqiri u fut pa leje në zonën e ndaluar ajrore mbi centralin bërthamor të Penly-së. Xhandarmëria franceze e detyroi të ulte menjëherë mjetin fluturues dhe gjatë verifikimit të dokumenteve zbuloi se piloti “i hutuar” kërkohej në të gjithë botën nga Interpoli. Nga ai çast, udhëtimi i tij luksoz përfundoi në burgun e Amiens-it.

Tashmë që Beqiri pret ekstradimin drejt Shqipërisë, pas hekurave doli në dritë edhe jeta e tij e marramendëse e luksit, e paguar pikërisht me paratë e tenderave publikë. Në Francë, autoritetet i kanë bllokuar një kështjellë historike prej 2.6 milionë eurosh në rajonin Oise, makina me çmime marramendëse, avionin privat dhe mbi 2 milionë euro në llogaritë bankare.

Ministria e Drejtësisë ka nisur letrat për ta sjellë përpara gjykatës shqiptare. Por pyetja që mbetet varur është shumë më e madhe se fati i vetë Beqirit: si ka mundësi që një shtet që pretendon se po lufton korrupsionin, vazhdon e u fal milionat e taksave të njëjtave kompani, duke provuar se këtu sistemi vazhdon të punojë me xhiro të plota edhe kur pronari ndodhet në qeli?

Kësaj pyetje do të duhet t’i japë përgjigje Jonaid Myzyri i OPB-së dhe shefi i tij, Edi Rama, i cili këto ditë është i zënë me platformat e ndryshme që ka ngritur për të fituar besimin e shqiptarëve. Deri atëherë, tenderat vazhdojnë të japin përgjigjen e tyre: në Shqipëri mund të të prangosin jashtë vendit, mund të të kërkojë Interpoli, mund të të presë ekstradimi, por nëse ke qenë pjesë e sistemit të duhur, shteti nuk të harron. Ta sjell tenderin deri te qelia./vna