Ballina Kuriozitete Kur njerëzit përdornin planetët, bretkosat dhe lopët për të parashikuar motin

Kur njerëzit përdornin planetët, bretkosat dhe lopët për të parashikuar motin

55
0

Me 1 gusht 1861, oficeri i marinës britanike Robert Fitz Roy publikoi në gazetën The Times parashikimin e parë modern të motit që iu vu në dispozicion publikut. Ai parashikoi se temperatura në Londër do të arrinte 17 gradë Celsius, qielli do të ishte i kthjellët dhe do të frynte erë nga jugperëndimi. Parashikimi përfshinte edhe disa qytete në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Danimarkë dhe Holandë.

Fitz Roy e kishte studiuar motin që nga viti 1854, kur mori drejtimin e Zyrës Meteorologjike të Londrës. Parashikimi i tij, shtatë vjet më vonë, ishte i rëndësishëm sepse për herë të parë ai përdori metoda të reja meteorologjike për të parashikuar motin.

Por përpjekjet për të parashikuar motin janë shumë më të vjetra. Gjatë historisë, njerëzit janë mbështetur te pozicioni i planetëve, ngjyra e qiellit dhe sjellja e kafshëve, si bretkosat dhe lopët, për të kuptuar se çfarë moti po vinte. Ja disa nga mënyrat e vjetra që përdornin.

Astrometeorologjia: planetët si parashikues të motit

Para shekullit XVIII, shkencëtarët europianë dhe arabë shpesh përpiqeshin të parashikonin motin përmes astrometeorologjisë. Kjo praktikë bazohej në besimin se planetët ndikonin në kushtet atmosferike në Tokë. Duke ndjekur lëvizjet e tyre, astrometeorologët mendonin se mund të parashikonin edhe motin.

“Gjithçka nis rreth shekullit II të erës sonë me Ptolemeun e Aleksandrisë në Egjipt dhe vazhdon deri në fillim të shekullit XVIII në Evropën Perëndimore”, thotë Anne Lawrence-Mathers, profesore e historisë në Universitetin e Reading, e cila ka studiuar astrometeorologjinë, ndër të tjera edhe në monografinë e saj të vitit 2019, Medieval Meteorology.

“Ka zgjatur për një kohë jashtëzakonisht të gjatë… Por nga fundi i shekullit XVIII, ajo kishte dalë krejtësisht nga moda. Njerëzit e pasur dhe të fuqishëm talleshin me të, në vend që ta merrnin seriozisht.”

Ptolemeu i zhvilloi idetë e tij mbi ndikimin e planetëve në mot duke u mbështetur te astronomia dhe astrologjia greke. Më vonë, astronomët arabë i zhvilluan më tej këto ide dhe shkrimet e tyre ndikuan te mendimtarët e Evropës Perëndimore.

Një nga parimet kryesore të astrometeorologjisë ishte se çdo planet kishte një ndikim të veçantë mbi Tokën. Për shembull, Saturni, që lëviz ngadalë, lidhej me të ftohtin, ndërsa Merkuri, që lëviz relativisht shpejt, lidhej me ngrohtësinë.

Sipas modelit astrometeorologjik të Ptolemeut, Toka ndodhej në qendër të universit. Këtë ide e kundërshtoi astronomi polak Nikollaj Koperniku në fillim të shekullit XVI, kur propozoi teorinë se Dielli ndodhej në qendër.

Megjithatë, edhe pasi shkencëtarët evropianë pranuan modelin heliocentrik të Kopernikut, disa prej tyre, si astronomi gjerman JohannesKepler, vazhduan ta mbështesnin astrometeorologjinë.

Kjo nuk do të thotë se të gjithë besonin se ajo funksiononte. Almanakët, ku botoheshin parashikime të motit të bazuara në astrometeorologji, ishin shumë të lexuar, por njëkohësisht edhe objekt talljeje. Edhe pasi astrometeorologjia humbi besueshmërinë në sytë e shkencëtarëve gjatë shekullit XVIII, almanakët vazhduan ta përdornin për parashikime. Disa prej tyre e bëjnë këtë edhe sot.

Por ekziston një mënyrë parashikimi edhe më e vjetër se astrometeorologjia, e cila vazhdoi të përdorej edhe shumë kohë pasi meteorologjia moderne kishte filluar të zhvillohej: folklori i zonave lokale.

Sjellja e kafshëve dhe shenjat e natyrës

Përpjekja për të parashikuar motin duke vëzhguar atë që ndodh përreth nesh është një praktikë e lashtë. Në shekullin I të erës sonë, shkrimtari dhe komandanti romak Plini Plaku shkruante në veprën e tij Historia Natyrore se njerëzit mund ta parashikonin motin duke vëzhguar dukuri të natyrës, si dielli, deti, retë dhe sjellja e kafshëve.

Ashtu si moti dhe klima ndryshojnë nga një rajon në tjetrin, edhe besimet popullore për motin ndryshojnë sipas vendit.

Në disa zona të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, dikur besohej se moti mund të parashikohej duke mbajtur një bretkosë të pemëve në një kavanoz me pak ujë dhe një shkallë të vogël. Nëse Wetterfrosch, që në gjermanisht do të thotë “bretkosa e motit”, ngjitej në shkallë, kjo nënkuptonte se do të kishte diell dhe mot të mirë. Nëse zbriste në ujë, pritej shi dhe mot i keq.

Katalogët në gjuhën gjermane të fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX reklamonin enë të posaçme me shkallë të vogla, ku mbaheshin këto bretkosa. Edhe sot, gjermanishtfolësit ndonjëherë përdorin fjalën Wetterfrosch në mënyrë humoristike për të quajtur një meteorolog.

Karol Mullaney-Dignam, profesore e asociuar e historisë dhe gjeografisë në Universitetin e Limerickut, zbuloi shumë lloje besimesh popullore për motin gjatë kërkimeve në Koleksionin Kombëtar të Folklorit të Irlandës.

Disa prej tyre lidhen me sjelljen e kafshëve. Për shembull, nëse macet i kthenin shpinën zjarrit, besohej se po afrohej një stuhi. Ndërsa nëse lopët shtriheshin në bar, kjo konsiderohej shenjë se do të binte shi. Lawrence-Mathers kujton se edhe gjyshja e saj e përsëriste këtë besim për lopët.

Disa nga thëniet që Mullaney-Dignam gjeti në koleksion ishin të njohura edhe për të, pasi i kishte dëgjuar gjatë fëmijërisë. Një prej tyre ishte: “Qielli i kuq në mbrëmje, gëzim për bariun; qielli i kuq në mëngjes, paralajmërim për bariun.”

Kjo shprehje ka variante të ndryshme. Në disa prej tyre përmendet “marinari” në vend të “bariut”. Por një nga burimet më të hershme të saj gjendet në Ungjillin sipas Mateut.

“Kur është mbrëmje, ju thoni: ‘Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq’. Dhe në mëngjes: ‘Sot do të jetë mot i keq, sepse qielli është i kuq dhe i vrenjtur’”, thotë Jezusi në versionin e Biblës së Mbretit Xhejms.

Mullaney-Dignam thotë se shumë prej studentëve të saj nuk kanë dëgjuar kurrë për këto besime popullore rreth motit me të cilat ajo u rrit. Por nga të gjitha këto thënie, ajo për “qiellin e kuq” është ajo që studentët e saj kanë më shumë gjasa ta njohin.