Në të gdhirë të 5 shtatorit, pasi flakët rrezikuan dhjetëra banesa dhe detyruan banorë e turistë të largoheshin, mbi Himarë rëndojnë dy pyetje: Kush e shkaktoi zjarrin dhe çfarë do të ndodhë me tokat e djegura?
Në mars, qeveria shpalli 18 zona të Himarës si territore me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. Vendimi përfshin Palasën, Dhërmiun, Vunoin, Himarën, Pilurin, Kudhësin, Qeparoin, Borshin, Piqerasin, Lukovën, Nivicën, Vranishtin dhe zona të tjera, ku lejohen veprimtari ekonomike, industriale dhe turistike. Vetëm zona Himarë–Pilur shtrihet në 2,211 hektarë.
Zjarri i 4 shtatorit u përhap pikërisht në kodrat në lindje të qytetit, pranë lagjes “1 Maji”, bypass-it dhe drejt zonës së Pilurit. Ky territor përkon pjesërisht me zonat nr. 5 dhe nr. 6 të “Paketës së Maleve”, të cilat përfshijnë Himarën dhe Pilurin.
Sigurisht, kjo është provë se zjarri është vendosur qëllimisht, por është arsye e mjaftueshme që autoritetet të publikojnë vatrën fillestare, itinerarin e përhapjes së flakëve dhe një mbivendosje zyrtare të perimetrit të djegur me hartat e “Paketës së Maleve”.
Vetëm kështu mund të marrë përgjigje pyetja, se çfarë do të mbijë ose do të ndërtohet nesër në tokën që u dogj sot?
Ligji “Për pyjet” ndalon ndryshimin e destinacionit të sipërfaqeve të djegura që bëjnë pjesë në fondin pyjor kombëtar. Kjo do të thotë se çdo përpjekje e ardhshme për t’i kthyer këto territore në sheshe ndërtimi duhet të përballet me kontroll të fortë publik dhe ligjor. Kështu thotë ligji, por shpesh në vend kemi parë që është “Maliqi” ai që vendos. E mbani mend si u ndërtua pa leje një pallat 5 kate pak javë më parë në Himarë dhe të gjithë bën sikur e kishin parë për herë të parë?!
Gati 1 milion euro tallava dhe kokër leku për zjarrfikëse!
Krahas dyshimeve mbi territorin e djegur, zjarri nxori zbuluar edhe prioritetet financiare të Bashkisë Himarë.
Nga të dhënat publike të konsultuara nga Skyweb.al rezulton se gjatë vitit 2026 janë planifikuar afro 1 milion euro për aktivitete kulturore, promovuese, koncerte dhe spektakle.
Vetëm tenderi për “Organizimin e aktiviteteve gjithëvjetore artistike dhe kulturore” kishte fond limit 49.5 milionë lekë pa TVSH, ose mbi 516 mijë euro. Programi përfshin 23 aktivitete, mes tyre festivale, koncerte, “Festa e Akullores”, “Festa e Balonave”, “Drone Art”, “Disney Land”, kinema 3D dhe festimet e fundvitit.
Mbi 10.2 milionë lekë të tjera, ose më shumë se 100 mijë euro, u parashikuan për dy procedura të lidhura me çeljen e sezonit turistik. Tenderë dhe aktivitete të tjera promovuese e çojnë faturën e planifikuar pranë 1 milion eurove.
Ndërkohë, për të përballuar zjarrin, drejt Himarës u nisën mjete dhe efektivë nga Tirana, Fieri, Vlora, Tepelena, Finiqi, Delvina, Saranda, Gjirokastra dhe Dropulli. Në operacion u angazhuan rreth 460 persona, ndërsa Himara u mbështet masivisht te bashkitë e tjera dhe Forcat e Armatosura.
Për krahasim, një automjet zjarrfikës i blerë nga Bashkia Dibër në vitin 2025 kishte fond limit rreth 9.2 milionë lekë, ndërsa një zjarrfikëse e specializuar për terrene pyjore e tenderuar nga Bashkia Tiranë kushton rreth 313 mijë euro.
Pra, me afro 1 milion euro mund të siguroheshin disa mjete zjarrfikëse, përfshirë automjete të përshtatura për terrenin e vështirë të Himarës.
Dhe Himara nuk është një bashki pa para.
Sipas një analize të “Kapitali” mbi prokurimet, bashkia ka planifikuar rreth 130 milionë euro tenderë gjatë vitit 2026. Me më pak se 9 mijë banorë, buxheti i saj llogaritet në rreth 10 mijë euro për frymë, afro dhjetë herë më shumë se Tirana.
Askush nuk thotë se Himara nuk duhet të ketë koncerte, festivale apo promovim turistik. Por në një territor që digjet pothuajse çdo verë, mbrojtja nga zjarret nuk mund të mbetet te pompat e shpinës dhe thirrjet për ndihmë nga bashkitë fqinje, aq më tepër me një buxhet si ai që menaxhon Vagjel Tavo, i cili është më i madh se i shumë ministrive madje.
Sepse pas zjarrit të Himarës nuk mjafton të pyetet vetëm kush e ndezi, por edhe pse një nga bashkitë më të pasura kishte nevojë që zjarrfikëset e gjysmës së vendit të vraponin për ta shpëtuar./ Skyweb







