Ballina Kronika Gjashtë celularët në burgun e Durrësit u gjetën në thes boksi, dyshohet...

Gjashtë celularët në burgun e Durrësit u gjetën në thes boksi, dyshohet se u përkasin vëllezërve Hoxhosmani, “Bizholit” dhe Renardo Nallbatit

58
0

Detaje të reja kanë dalë në pah nga aksioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit të të enjtes që lamë pas, më 3 gusht, kur në burgun e Durrësit u raportua se u gjetën celularë. Ndonëse fillimisht u tha se ishin 5 celularë, bëhet me dije se në total kanë qenë 6, të cilët dyshohet se përkisnin vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Adi Çobës, i njohur ndryshe si “Bizholi” dhe Renardo Nallbanit.

Burime për mediat bëjnë me dije se celularët u gjetën të fshehur në një thes boksi  në ambientet e palestrës së institucionit të vuajtjes së dënimit. Megjithatë, celularët janë sekuestruar dhe janë dërguar në SPAK , ku dhe do i nënshtrohen këqyrjes dhe analizimit në laboratorin e ekspertizës.

Kjo nuk është hera e parë që vëllezërve Hoxhosmani u gjenden në burg aparate celulare. Para katër muajsh, më 15 maj, njërit prej tyre iu sekuestrua një iPhone.

Klevis Hoxhosmani, 37 vjeç dhe vëllai i tij 42-vjeçar, Arturi, u arrestuan nga SPAK në Korrik 2025, për përfshirjen e tyre të dyshuar në një tentativë për të trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE. Muaj më parë mediat britanike i kushtuan dhe një artikull ku nxirrnin në pah jetën e tyre luksoze.

Ata kishin shkuar në Britaninë e Madhe si azilantë, hapën disa biznese për makina me qira dhe lavazh, por më pas kur gjithçka doli në dritë, u zbulua se paratë vinin nga trafiku i kokainës.