Ballina Politika Dorëheqja e ministres Sala, Ahmetaj zbardh prapaskenat: Iku se nuk firmosi, po...

Dorëheqja e ministres Sala, Ahmetaj zbardh prapaskenat: Iku se nuk firmosi, po deputetët e PS pse nuk flasin për plaçkitjen e vendit

48
0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka vijuar me akuzat e tij ndaj qeverisë Rama, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama ka folur në një mbledhje të grupit parlamentar për largimin e Evis Salës dhe një projekt të lidhur me atë që ai e quan “Kayo” në sektorin e shëndetësisë.

Në një intervistë për “Çim Peka Live”, Ahmetaj deklaroi se prej muajsh, sipas tij, po tentohet që zona e Delvinës t’i jepet biznesmenit Ron Yeffet, përmes një modeli që ai e cilësoi si “koncepti Kayo”.

“Prej 9-10 muajsh tentojnë që të grabisin Delvinën, që t’ia japin Yeffet-it me konceptin Kayo. Shteti krijon një kompani, siç ka krijuar Kayo-n. Këtu nis: marrin fëmijët 80% dhe 20% shteti i shkretë”, pretendoi Ahmetaj.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po krijon struktura që, sipas tij, marrin kontrata publike pa konkurrencë, ndërsa shteti mbetet me një pjesë të vogël të përfitimeve.

“Po thithin gjakun e shqiptarëve. Këto janë krijesa të Ramës”, tha Ahmetaj.

Duke iu referuar sektorit të shëndetësisë, ish-zëvendëskryeministri pretendoi se një model i ngjashëm po përgatitet edhe për këtë fushë. “E ka deklaruar dhe në grup: ministrja iku se nuk firmosi, por ‘ne do të bëjmë një gjë fantastike, pa tender, me izraelitë’. Ky është roli i Yeffetit”, deklaroi Ahmetaj.

Më tej, ai kritikoi deputetët socialistë për mungesën e reagimit ndaj akuzave që ai ngriti. “Nuk i kuptoj deputetët e partisë time që nuk bëjnë zë për plaçkitjen. Bëjnë zë për asgjë, por nuk flasin për kalibrin ndërkombëtar të grabitjes dhe për këto që janë praktikisht mafia shtetërore”, u shpreh ai.

Ahmetaj pretendoi se bëhet fjalë për devijim të parave të buxhetit përmes skemave që ai i cilësoi kriminale, duke përmendur edhe një person që e identifikoi si “Ermal Raketa”, për të cilin tha se është bërë ministër i Mbrojtjes.